SHPËRNDAJE

Prishtinë, 7 dhjetor – Loja e mrekullueshme në skenë, ndjesia që ai krijon, virtuoziteti dhe lidhja e tij me kitarën, kanë bërë që mediat gjermane ta cilësojnë Petrit Çekun kitarist të nivelit botëror. Ai është vlerësuar lart për performancat e tij në kuadër të një prej ngjarjeve më të mëdha muzikore në Evropë që organizohet në ambiente të mbyllura. Bëhet fjalë për turneun e koncerteve “Night of the Proms”, që thur muzikën pop me atë klasike.

Çdo vit emra të mëdhenj të muzikës botërore bëhen pjesë e programit muzikor. Kitaristi i njohur Petrit Çeku i është bashkuar “Night of the Proms” në kuadër të edicionit të 34-t. Në netët e para më datën 17 nëntor në Holandë e më pas me 23 dhe 24 në Belgjikë, ai ndau skenën me këngëtarin e njohur botëror Seal, po ashtu me Milow, Suzanne Vega e John Miles dhe bendin i njohur “Earth Wind & Fire Experience”. Turneut në Gjermani, që nisi më 30 nëntor e që do të përfundojë më 22 dhjetor, i ka ndryshuar formacioni. Krahas Çekut, Milow dhe Miles është edhe Bryan Ferry dhe “The Pointer Sisters”.

Ky rrugëtim maratonik në Gjermani i kitaristit kosovar, i cili jeton dhe vepron në Kroaci, ka bërë që mediet gjermane ta vlerësojnë maksimalisht atë. “Kushdo që mendon se ka dëgjuar kitaristë të klasës botërore e ka gabim, nëse ende nuk e ka parë Petrit Çekun. Ai është mjeshtër në kitarën akustike dhe aftësitë e tij i tregon më së miri në muzikë të filmit”, ka shkruar revista gjermane “Musikmag”, në shkrimin për koncertin e 2 dhjetorit që u mbajt në Bremen. Çeku në program ka pasur edhe paraqitjen e tij të dytë. Ai është rikthyer në skenë me një tango.