SHPËRNDAJE

Mediumi zviceran “Neue Zürcher Zeitung” i ka kushtuar një shkrim të veçantë çështjes së një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “korrigjimit të kufijve”, si dhe “bashkimit të shqiptarëve” – dhe rolit të Shqipërisë, përkatësisht kryeministrit Edi Rama në këto procese.

Në këtë drejtim, siç shkruan ky medium, përcjell Telegrafi, për momentin nuk ka ditë në Ballkanin Perëndimor kur politikanët nuk komentojnë për një shkëmbim të mundshëm territorial midis Kosovës dhe Serbisë.

Kjo, siç thuhet tutje, mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund konfliktit të gjatë dhjetëvjeçar.

“Për vite të tëra, Perëndimi kategorikisht nuk pranoi ndryshimet kufitare në Ballkan. Megjithatë, për disa muaj, gjithnjë e më shumë vende të BE-së dhe Shtetet e Bashkuara duket se largohen nga ky qëndrim: gjëja kryesore që Beogradi dhe Prishtina mund të bien dakord janë një marrëveshje”, shkruan fillimisht NZZ.

Dhe në këtë kontekst, thekson NZZ, kryeministri shqiptar Edi Rama është gjithashtu i hapur për një ndryshim në vijën kufitare midis Kosovës dhe Serbisë me banim me shumicë shqiptare.

“Kjo është një gjë e natyrshme”, citohet kryeministri Rama në një intervistë me NZZ dhe vë në dukje megjithatë se edhe kufijtë e Kosovës me Malin e Zi dhe Maqedoninë janë ripërcaktuar në vitet e fundit.

Ndërsa sa i përket një marrëveshje të mundshme ndërmjet dy vendeve, Rama ka thënë se Shqipëria nuk është e përfshirë në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë.

“Se si duhet të duket marrëveshja, duhet të vendosin Kosova dhe Serbia”, citohet tutje Rama.

Po sipas NZZ, përmbajtja e saktë e një marrëveshjeje të tillë mbetet e paqartë.

“Është e qartë, megjithatë, se mbi të gjitha SHBA po nxit për një marrëveshje. Për shembull, në një letër drejtuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në dhjetor, presidenti i SHBA-së (Donald) Trump shkroi se një marrëveshje ishte ‘brenda mundësive’. Dhe kohët e fundit zyrtari i lartë amerikan, David Hale udhëtoi në rajon për të zhvilluar bisedime në Beograd dhe Prishtinë”, kujton NZZ.

E se si do të duhej të dukej një vijë kufitare, Rama është shprehur se “kufijtë etnikë duhet të shmangen absolutisht”.

Për këtë, rikujton gjithashtu NZZ, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tashmë ishte shprehur në këtë drejtim.

“Nëse Shqipëria ka ndonjë gjë për të thënë, vendi do të mbështesë çdo marrëveshje që gëzon mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së”, citon mediumi zviceran kryeministrin Edi Rama.

Përveç çështjeve që kanë të bëjnë me marrëveshjen Kosovë-Serbi, si dhe çështjen e kufijve, mediumi zviceran ka vlerësuar se në jetën e përditshme, shqiptarët në vitet e fundit u afruan në mes tyre.

“Shkëmbimi kulturor dhe mediatik është i fortë. Sot, në sajë të lidhjes me autostradë, ka nevojë vetëm për rreth dy orë rrugë për të arritur në bregdetin shqiptar nga Kosova”.

Gjithashtu, sipas NZZ, politikisht, Prishtina dhe Tirana duket se kanë marrëdhënie më të forta në mandatin e Ramës.

“Që nga viti 2014, ka pasur takime të rregullta midis qeverive kosovare dhe atyre shqiptare, dhe kur Rama e transformoi kabinetin e tij, ai emëroi dy kosovarë të rinj, njërin si ministër të Jashtëm dhe tjetrin si ministër të Arsimit”.

Megjithatë, sipas profesorit të shkencave politike, Afrim Krasniqi, takimet e përbashkëta të dy qeverive, së paku deri më tani kanë prodhuar rezultate pak konkrete.

Kështu, që Krasniqi këtë e vlerëson “kryesisht propagandë”.