SHPËRNDAJE

«Kishte njerëz që në mëngjes nuk kanë bukë të hanë, apo ngrohje në këtë kohë dhe me këtë temperaturë të ftoftë që po mbretëron në Atdhe. Të mos flasim që fëmijët e tyre ta kenë luksin e veshjeve, por me rroba të shqyera dhe me këmbë të lagura qëndrojnë në shkollë gjatë tërë orarit», na tha ndër të tjera z.Musliu.

Se mërgata nuk po ndalet së ndihmuari në Atdhe, kjo po shihet dita-ditës në forma të ndryshme. Sikur të mos ishte mërgata, atëherë do të kishte edhe më shumë probleme ekonomike në Atdhe, e këtë e kanë thënë edhe shumë bashkëkombës gjithandej trojeve tona etnike. Këtë e kanë dëshmuar edhe njohës të ekonomisë, që e shohin mërgatën si resursin kryesor të të ardhurave në Atdhe. Nuk besoj se do të gjendet një mërgimtar, i cili gjatë pushimeve nuk do të harxhojë të paktën 2.000 euro, e të mos flasim për ata që e organizojnë ndonjë gazmend familjar dhe ndërtojnë shtëpi, apo kanë bizneset e tyre, e aktivitete tjera të ngjashme. Me t’u kthyer nga pushimet dimërore, bashkatdhetarët tanë, pa dyshim, se i marrin me vete edhe përshtypjet e tyre pas pushimeve.

SHH «Lugina e Preshevës» ka hapur shtigje të tjera në aspektin bamirës

E në këtë rast, Kryesia e Shoqatës Humanitare «Lugina e Preshevës», me qendër në Gossau të St.Gallenit, edhe gjatë stinës së dimrit ka dhënë ndihma për ata që kanë pasur nevojë. Stina e dimrit është edhe më e rëndë për ata që nuk kanë, prandaj Kryesia e kësaj shoqate, duke i falënderuar të gjithë anëtarët dhe donatorët, ndau ndihma në vendlindje, si në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, Kosovë dhe Maqedoni. Ne patëm rastin të bashkëbisedojmë me kryetarin e kësaj shoqate, z.Fazli Musliu, i cili para pak ditësh ishte kthyer nga Atdheu dhe ai, edhe pse ishte në pushime dimërore, nuk mundi të rehatohet pa i ndarë ndihmat e grumbulluara në arkën e shoqatës. Biseda jonë ishte e gjatë, por po shkëpusim vetëm disa pjesë nga ajo. Thënë shkurt, pak skenat e skamjes mund të shihen gjatë stinës së verës. E, në anën tjetër, kur i sheh kafenetë me plot njerëz dhe pothuajse çdo qytetar me telefon celular në dorë, atëherë njeriu dyshon se është vështirë ta gjesh ndonjë skamnor.

Lule të freskëta dhe flamuj kombëtarë në vendin e dëshmorëve

Fazli Musliu tregon se ka pasur raste të ndryshme e të dhimbshme. Kishte njerëz që në mëngjes nuk kanë bukë të hanë, apo ngrohje në këtë kohë e temperaturë të ftoftë që po mbretëron në Atdhe. Ai tregon se gjatë vitit 2014, Shoqata Humanitare «Lugina e Preshevës» ka kontribuar mjaft dhe është e kënaqur me ndihmat që i ka ndarë, por sikur të kishte edhe më shumë, nuk do të mjaftonin, sepse kërkesat janë edhe të shumta. Kjo shoqatë e ka rregulluar edhe një lulishte te vendi i lapidarit të dëshmorëve, që u hoq dhunshëm nga forcat e shumta policore e të xhandarmërisë serbe. Aty do të ketë lule të freskëta gjithnjë, si edhe flamuj kombëtarë. Tri herë në vit do të ndërrohen lulet dhe te vendi i ndarjes së jetës të dëshmorëve, ndërsa praktikohet që të ketë flamuj kombëtarë edhe aty, e koston e mbulon kjo shoqatë, në bashkëpunim me OVL-në. Ata sivjet janë takuar edhe me familjarët e dëshmorëve, të gjithë bashkë në një vend, që ta pinë një gotë uji dhe të bashkëbisedojnë, por, në anën tjetër, edhe t’i ndajnë ndihmat. Ky koktej me familjarët e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët u mbajt në dhjetor, dhe po shpresohet se do të takohen rregullisht e të flasin ndërmjet vete.

Zoti Musliu nuk i fsheh emocionet që i ka përjetuar kur i ka takuar të gjithë bashkë dhe ka marrë urata të shumta për punën që po e bën shoqata, anëtarët e saj, si dhe donatorët.

Ndihma përfituan 49 familje të dëshmorëve, të invalidëve dhe të veteranëve të UÇPMB-së. Gjithsej për 83 familje u ndanë ndihma

Vitin që e lam pas, pra më 2014, ishin gjithsej 49 familje që u ndihmuan nga shoqata e përmendur: 46 prej tyre në Preshevë dhe Bujanoc, ndërsa tri familje në komunën e Tetovës, përkatësisht në fshatin Brodec. Në Preshevë janë 18 familje skamnore, në komunën e Bujanocit 12 familje dhe në Medvegjë katër sosh, e pa dyshim se ka edhe shumë e të tjera, por ne këto patëm mundësi t’i ndihmojmë sivjet, që gjithsej bëjnë 34. Të gjitha këto përfituan ndihma modeste, përkatësisht nga 100 franga zvicerane. Gjithashtu, edhe një shtëpi për një skamnor që është duke u rregulluar nga «Human Center», me seli në Preshevë, e ne kemi kontribuar me 2.000 franga zvicerane.

Shtepia

Tre studentë për vitin 2014/15 marrin gjithsej 3.000 franga zvicerane

Shoqata Humanitare «Lugina e Preshevës» ka hapur shtigje të tjera në aspektin bamirës, duke dashur që të kontribuojë edhe më shumë për studentët. E dimë, thotë z. Musliu, se ka shumë familje që kanë ndonjë anëtar të familjes që është i mirë në shkollë, por që nuk ka mjete. Ne po mundohemi të ndihmojmë me vepër, e jo me fjalë. Situata në vendlindje është dramatike, prandaj kërkojnë ndihmë në çdo cep. Pa dyshim, ata që i kanë familjarët e tyre në mërgim e kanë më lehtë, por ata që nuk e kanë askënd në punë e kanë shumë vështirë. Studentët presin që t’u ndihmojmë. Është nder dhe kënaqësi edhe për ne, edhe për shoqërinë, kur sheh që këta studentë na falënderojnë dhe na urojnë të gjithëve për shëndet të mirë dhe të mira tjera të përgjithshme.

Viti 2014 u përmbyll me 15.500 franga zvicerane ndihmë

Kryesia e shoqatës i falënderon të gjithë mërgimtarët, anëtarët, donatorët, e pa dyshim edhe kryesitë e xhamive, që kanë ndihmuar, pa i harruar edhe mediet tona, si «dialogplus», Tv Presheva, Tv Aldi, presheva.com etj., që e kanë dhënë kontributin e tyre. Zoti Musliu shpreson se mërgimtarët, ashtu siç kanë qenë gjithmonë zemërgjerë, do të jenë edhe gjatë këtij viti. Kërkesat janë të shumta, prandaj nuk ka dyshim se ndihma jonë është e mirëpritur nga ata që kanë nevojë. /Dashnim HEBIBI, presheva.com/