SHPËRNDAJE

“Mësuesi është përhapësi i dritës!”, Luigj Gurakuqi

HysenMustafa

Profesioni më i merituar dhe më i shenjtë në botë gjatë të gjitha kohërave ka qenë dhe është ai i mësuesit. Mësuesit janë kurorë shndritëse për nxënësit e tyre, menjëherë pas prindërve të tyre. Bile në të shumtën e rasteve në shenjtërinë, respektin dhe autoritetin e tyre ndaj nxënësve, ata prijnë edhe ndaj prindërve.
Vazhdimi i ekzistencës së një populli, qëndrimi i tij edhe më tej në këmbë, të mbajturit të fortë dhe të përparuarit e tij, përgatitja e tij për një të ardhme të frytshme, me përgatitje për të sfiduar dhe për t’i bërë ballë më pas të gjitha sfidave jetësore, është barrë e mësuesve, është sakrificë dhe flijim i veprës së tyre madhore.
Një autoritet dhe respekt të tillë gëzon dhe mësuesi im Hysen Mustafa, i cili na ka përgatitur ne kuadrot e reja, që nga fëmijëria, atëherë kur në kokat tona nguliti dashurinë ndaj dijes dhe atdheut, familjes dhe shoqërisë. Andaj nëse nuk duhet dhe nuk çmohet mësuesi, me shumë liri mund të them se humbin vlerat shoqërore në përgjithësi.
Mësues! Ti na kishe ne amanet duke u ballafaquar me shumë sakrifica dhe flijim, duke na pajisur me moral dhe karakter të fortë, pranë Teje dhe pranë kujdesit tënd vumë themelet e personalitetit tonë të vogël atëherë e shumë të madh dikur. Ishe Ti ai që na mësove ta duam vatanin dhe trojet tona, popullin tonë. Ishe Ti ai që për herë të parë në jetë na lirove që të shprehemi lirshëm dhe të krijojmë fjalorin e shprehjeve të para shkencore. Ishe Ti ai që secilin në vete e trajtove si person të veçantë duke u munduar që asnjërit prej nesh të mos ia lëndosh ndjenjat. Çdo ditë e më shumë që kalon, bindem që mësuesit e fortë si Ti nxorën: doktorë, inxhinierë, doktorë shkencash të ndryshëm, sepse u kujdesën për formimin e bazës dhe themeleve të forta e të palëkundshme, që lëshojnë fara dhe fryte edhe sot.
Janë ato shkronjat e vogla, të shtrembra dhe të drejta, të lakuara dhe të palakuara që flasin shumë për mua, sepse nga ato shkronja më pas mësova të thur fjalë të mëdha, periudha të gjata kuptimplotë, të ndërthur poezi dhe prozë, madje edhe të arrij e të kuptoj edhe thëniet filozofike. Ishin shkronjat dhe fjalët e para që ti m’i mësove që më pas të më bëhen urë dhe të mësoj edhe katër gjuhë të huaja, të skalis tabanin tim të diturisë dhe kulturës.
Hazreti Aliu thotë: “Ai që më mëson një shkronjë, do t’i bëhem rob dyzet vjet!” Nga kjo fjalë edhe një herë kam më shumë kujdes dhe çmoj edhe më lartë autoritetin Tënd, sepse Ti kalove në Botën e Amshuar e detyrat dhe respekti që na porosit kjo fjalë ende vazhdojnë, ende nuk kanë përfunduar. Janë fjalët dhe këshillat e Tua që vazhdoj t’i përmend edhe sot e kësaj dite, dhe sa herë që shkruaj shkronjën “H” të madhe të shkrimit më shkon mendja tek Ti, sepse e shkruaj në formën specifike ashtu siç ma ke mësuar Ti, ngase gjithnjë më thoshe se ne të dy kemi emra që fillojnë me shkronjën e njëjtë të alfabetit, e unë gëzohesha tej mase që mbaja diçka të përbashkët me Ty.
Më kujtohet si sot kur unë pata regjistruar klasën e parë, dhe kur hyra në klasë, mikpritja dhe ngrohtësia që më ofrove Ti, më dhanë vullnet, më ngritën dëshirën për t’i lënë lojërat mënjanë dhe për t’i zëvendësuar ato me kënaqësinë e mësimit, dhe kjo nuk do të më ndodhte po të mos kisha një mësues të denjë ashtu siç ishe Ti. Prej Teje u mësova të bëhesha rresht, të dëgjoja kur flet i dituri, të respektoja dhe të filloja të hapja shtigjet e para të diturisë që do të më përcjellin edhe mua deri në varr.
Ishte ajo dora Jote që më lëmoi kokën dhe flokët e mia, lëmim që e kujtoj me admirim edhe sot e kësaj dite sepse ishte bërë nga njeriu i shenjtë, njeriu që nëse do të më urdhëronte të kryej diçka do ta kryeja pa përtesë, madje dhe do të ndjeja kënaqësi. Kurrë nuk e harroj kur me kënaqësi ngrihesha dhe zbatoja urdhrat e tua, ishin ato momente kënaqësie që i hapën më pas rrugën vajtjes dhe prezantimit tim nëpër konferenca, simpoziume dhe protokolle. Ajo fjala jote e ëmbël që na thoshe të vepronim më pas u rrit, u bë e madhe, i kaloi kufijtë e shteteve por gjithnjë duke u kthyer në bazën që më kishe dhënë Ti.
Ti më mësove alfabetin që fillon të shkruhet nga ana e majtë për të mësuar më pas edhe katër alfabete të tjera, dy që nisin nga e majta dhe dy të tjerë që fillojnë nga e djathta.
Gjithmonë je kujdesur për ne nëse kishim laps e gomë, nëse kishim vizore, trekëndësh dhe kompas, nëse ishim apo nuk ishim në nivel pastërtie, nëse ishim të uritur ose të ngopur, por më e larta nëse ishim psikikisht dhe shpirtërisht të qetë, nëse na mundonte diçka. Na këshilloje gjithmonë duke e marrë shembull veten dhe asnjëherë personin që kishte problemin.
Mësues i dashur! Nuk e harroj kurrën e kurrës se kur Ti mundoheshe ta këshillosh dikë që i kishte ndodhur diçka, gjithmonë do të shpreheshe: “Edhe mua më ka ndodhur!”, ndërsa kur na sqaroje diçka që ti personalisht kishe dhënë mund e sakrificë do shpreheshe: “Ne!”
Edhe sot e kësaj dite e shoh në ëndërr atë momentin kur ti do të hyje në klasë dhe ne të gjithë njëzëri do të buçisnim: “Mirëditaaa!”, dhe për një moment me hyrjen tënde në klasë do të rregullohej çdo gjë, nuk do të dëgjohej as psherëtima më e vogël, do të fillonte shpjegimi, do të fillonte qetësimi, mësimi që na mësove me zell dhe gjithmonë duke na futur në gjak mësimin e shkëlqyeshëm të shoqëruar me sjellje shembullore.
Mësues i dashur! Ti shtegtove në Parajsë e unë vazhdoj të të mendoj edhe më tej tek vendosje dorën në bankë dhe shpjegoje me zë të lartë duke e parë secilin prej nesh nëse është duke dëgjuar dhe duke u fokusuar në fjalët e Tua elokuente.
Ishin këto momente që nuk do të harrohen kurrë, madje deri në kohën kur edhe ne do të bëhemi pleq.
Nuk do t’i harroj kurrë reagimet e Tua kur ndokush na sulmonte, ose kur Ti mundoheshe të na nxisje për të mësuar, na trajtoje si një pjesë të shpirtit dhe trupit Tënd. Thjesht ishe bërë dhe ishim bërë të pandashëm në kujtesën tënde.
Nuk do ta harroj kurrë se Ti ishe shumë këmbëngulës që ne të lexojmë, të lexojmë të mos ndalemi, këshilla dhe porosia jote ishte që unë e zbatoja duke lexuar madje me qindra romane gjatë pushimeve verore, për mprehur lapsin për të dashur dhe për t’u frymëzuar nga letërsia sot e kësaj dite.
I dashuri dhe shumë i rrespektuari Mësuesi Im, gjithmonë e mbaj mend se Ti je sebeb që më ke mësuar shkronjat, dhe pastaj do t’i përdori ato në momente gëzimi dhe hidhërimi, sepse ti je i pari që më mësove t’i hedh ndjenjat e mia në letër. Që nga ajo kohë unë u rrita, u rrita shumë, formova dhe tek vonë e kuptova se gjithmonë laspi dhe letra pas lutjeve të fuqishme dhe me frymëzim janë ndihma e parë për t’i shpreh ndjenjat pozitive dhe negative.
Prandaj është shumë e drejtë thënia: “Padyshim, mësuesit janë njerëzit më sakrifikues dhe më autoritare të një shoqërie, dhe detyra e tyre i prinë madje edhe asaj presidenciale!”
Ndoshta nuk mundem ta përkufizoj sakrificën dhe flijimin Tënd me këto fjalë të vogla, kur dihet se Ti je njeriu që njerëzit i ngrite nga zero, formove brezat që më pas u shërbyen dhe thithën vlerat e tyre i gjithë populli, madje edhe bota. Është i paktë falënderimi ndaj Teje, borxhi që na mbolle themelet e diturisë. Kur ishe i gjallë me trup, të uroja edhe pse nga larg për shëndet dhe lumturi, sepse me vepra do të jesh gjithmonë i gjallë edhe në mesin tonë. Por tani që shtegtove në Botën Tjetër, dhëntë Zoti të marrësh shpërblimin për atë që na ke mësuar, sepse në këtë botë harrohen gjërat por është Allahu Ai që nuk humbet asgjë, madje as sa grimca e atomit.
E lus Allahun që të shpërblejë me Xhennet në sajë të meritave të tua për shpërndarje të diturisë.
Hysen Qazim Mustafa ka lindur më 20.07.1935 në Preshevë, në një familje qytetare me taban kulturor dhe arsimdashës. Ai e mbaroi shkollën e Lartë Pedagogjike dhe si fryt i këtij mbarimi filloi të punojë menjhëherë po atë vit d.m.th në vitin 1957 në fshatin Ranatoc, ku edhe punon një vit me radhë në këtë fshat. Më pastaj vazhdon të punojë po ashtu një vit me radhë nëpër fshatrat e Komunës së Preshevës duke filluar në Tërrnavë, Miratoc dhe në Raincë, dhe më në fund veprimtarin e mësimdhënies dhe arsimit e vazhdon Preshevë derisa doli në pension në vitin 1998. Vdiq në Preshevë më 6 Mars 2015, gjë që na bën të kuptojmë se tërë jetën ja kushtoi arsimimit dhe edukimit të brezave të rinj.
Edhe një herë e përkujtojë se: “të gjithë i kemi borxh, ai na fali shumë, na fali më të çmuarën edukatën dhe kulturën. Lus Zotin e Madhë ta ketë shpërblyer si pinjoll të arsimit, duke të futur në radhën e grupit të dijetarëve, aty ku shkrimi Yt me shkumës dhe laps do të peshojë shumë rëndë, në proporcion me gjakun e pastër të dëshmorëve!”

Shkruan: dr Hatixhe Ahmedi