SHPËRNDAJE

Vajza

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Divjakë të Shqipërisë, ku një nxënëse 12 vjeçare dyshohet se është përdhunuar sistematikisht nga një mësues brenda ambienteve të shkollës.
Mediat në Shqipëri raportojnë se burime zyrtare bëjnë me dije se është vënë në pranga Demir Hoxha, 62 vjeç lindur në Gramsh dhe banues në fshatin Zharnec Divjakë, i cili akuzohet për marrëdhënie seksuale me dhunë me një të mitur.
Burime nga policia sqarojnë se Hoxha me detyrë mësues në shkollën 9-vjeçare në Kryekuq akuzohet se ka abuzuar seksualisht me të miturën. Ky i fundit është denoncuar nga prindërit e të miturës, e cila i ka treguar nënës së vet se mësuesi abuzonte seksualisht me të. 62-vjeçari i arrestuar është mësues kujdestar i të miturës që ka bërë denoncimin.
“Policia ka bërë ndalimin e shtetasit Demir Hoxha, 62 vjeç, banues në fshatin Zharnec Divjake, me profesion mësues në shkollën nëntë­vjeçare. Akuzohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë në mënyrë të përsëritur me shtetasen e mitur A.K, duke shfrytëzuar detyrën si mësues kujdestar i saj në shkollën 9-­vjeçare. Ngjarje kjo,e ndodhur në ambientet e kësaj shkolle”­ thuhet në njoftimin paraprak të policisë. Materiali hetimor për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur&Shpërdorim i Detyrës”, do t’i kalojë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë për veprime hetimore të mëtejshme”, – sqaron policia.

Flet drejtori i Shkollës
Menjëherë pas arrestimit të mësuesit 62-vjeçar ka folur për Neës24 drejtori i shkollës 9-vjeçare “Hysen Malko”, në fshatin Kryekuq të Divjakës ku jepte mësim i akuzuari. Drejtori Vasil Rrushi i tronditur ka thënë se Demir Hoxha ishte mësues prej 20 vitesh në këtë shkollë, por nuk ka pasur denoncime ndaj tij. Sipas drejtorit Rrushi, Hoxha ishte mësues i klasës së pestë, klasë që ka mbi 20 nxënës.
“Ngjarja tronditëse, është e pabesueshme. 62-vjeçari ishte mësues prej 20 vitesh në këtë shkollë. Nuk ka pasur denoncime më parë. Hoxha ishte mësues i klasës së pestë, klasa e tij ka mbi 20 nxënës. Ngjarjen tronditëse e mësuam nga mediat. Në shkollën “Hysen Malko” kjo s’ka ndodhur kurrë më parë. Presim nga organet e drejtësisë që ngjarja të hetohet”, ka thënë drejtori Vasil Rrushi.