SHPËRNDAJE

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta po qëndron për vizitë në Kosovë, ku po merr pjesë në ceremoninë e ndarjes së dekoratave për njësitet e kërkim shpëtimit të Kosovës që shërbyen në ndihmë pas tërmetit tragjik në Shqipëri.

“Të dashur shpëtimtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe policisë të cilët u paraqitën në orët e para të një beteje midis jetës dhe vdekjes, nuk ka vlerësim më të mirë se sa t’iu quaj shpëtimtarë të gjithë juve. Do të doja ta kishim festuar 28 nëntorin siç e meritonte, për gjithë kombin tonë si gjithmonë së bashku, në Vlorë, Tiranë, Prishtinë e Prizren por ja që nuk ndodhi ashtu. Mirëpo, edhe ky 28 nëntor na gjen të bashkuar si asnjëherë tjetër në historinë tonë, për tu përballur me pasojat katastrofike që shkaktoi tërmeti në Shqipëri”, ka deklaruar Meta.

Ai ka theksuar se më 26 nëntor ditën kur ndodhi tërmeti, Shqipëria nuk mbeti e vetme pasi shumë vende i dolën në ndihmë, por Kosova ishte e para që u ndodhë atje.

“Kosova ishte e para që u ndodh atje në luftën për të shpëtuar jetën çdo shqiptari, ata ishin vëllazërisht e shqiptarisht duke rrezikuar jetën e vet për të shpëtuar jetën njerëzve nën rrënoja. Populli shqiptar do të jetë përgjithmonë mirënjohës”, u shpreh Meta.

Presidenti i Shqipërisë shtoi se Kosova duhet të jetë krenare për Forcat e Sigurisë.