SHPËRNDAJE

Presidenti Ilir Meta vazhdon të jetë i ndjeshë ndaj dialogut Kosove-Serbi, sidomos pas projektit të korrigjimit kufitar të lajmeruar nga presidenti Thaçi. Duke komentuar ecurinë e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në televizionin publik, Meta ka theksuar se “procesi i dialogut nuk ka arsye për të hyrë në shtigje të shpikura. Procesi i dialogut ka qenë në mënyrë të qartë për t’i dhënë mundësinë Serbisë që të ecë drejt marrjes së statusit kandidat dhe njëkohësisht drejt çeljes së negociatave, gjë që ka ndodhur. Dhe njëkohësisht synon që përmes një marrëveshjeje përfundimtare të zgjidhë edhe të ardhmen e Serbisë si një vend anëtar në BE dhe Serbia të fitojë perspektivë të qartë europiane, si çdo vend që duhet të zgjidhë problemet me fqinjët”, – është shprehur Meta.

Sipas Presidentit të Shqipërisë “natyrisht, kjo kërkon që njëkohësisht Serbia të njohë këtë realitet duke u sjellë si një shtet i gatshëm për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Devijimi pastaj i dialogut në çështje të tjera nuk i shërben mendoj as Serbisë, as Kosovës, as rajonit tonë dhe besueshmërisë së BE-së për vlerat mbi të cilat është krijuar dhe ekziston”, – ka theksuar ai.