SHPËRNDAJE

Trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti vazhdon të mbajë kontakte me të gjithë ish lojtarët e tij te Milani dhe madje zbuloi se ka këshilluar teknikun Clarence Seedorf se si mund të mposhtet Atletico Madrid, rivali i kuqezinjve në Champions League.

“Po kam biseduar me Seedorf. Më kërkoi informacione për Atleticon, por ai e di shumë mirë se si duhet ta përgatisë këtë sfidë. Atletico është një ekip që luan sipas imazhit të trajnerit Simeone, është i fortë, kompakt dhe luftarak, ndërkohë Milani duhet të ruhet nga kundërsulmet dhe të shfrytëzojë çdo hapësirë. Clarence nuk ka frikë, duhet patur durim me të për të arritur aty ku dëshiron. Idetë nuk i mungojnë”, është shprehur italiani, citon “Calciomercato”.

Komplimente për Inzaghin, ndërkohë që këshilloi Balotellin të marrë Cristiano Ronaldon si shembull për të ecur përpara.

“Jese është një talent i çmendur dhe të mendosh që nuk ka mbushur ende 21 vjeç. I kam patur të pakët lojtarët si ai në këtë moshë. Pato ishte si ai, ndërsa për Higuain mund të them se është një nga sulmuesit më të mirë në botë. Balotelli? Ai duhet ta kuptojë se talenti nuk mjafton, por të marrë si shembull Cristianon që është një profesionist i jashtëzakonshëm. Cfarë mund të them për Inzaghin? E komplimentoj për arritjet me Milanin e të rinjve. Besoj se do të bëhet një trajner i madh”, përfundoi Carlo Ancelotti.