SHPËRNDAJE

Intervistë ekskluzive me regjisorin e mirënjohur, me të cilin u takuam në Sion të Zvicrës, z. Artan Minarolli

Artan Minarolli është një regjisor i mirënjohur. Ai lindi më 13 maj 1958. E ka mbaruar gjimnazin «Sami Frashëri» në Tiranë, në vitin 1977. Ka studiuar në Akademinë e Arteve, Dega e Dramës, në 1982. Në vitin 1986 u emërua as/regjisor në Kinostudio. Në vitin 1993 e kreu një specializim për regjisor në Shkollën Evropiane të Filmit në Danimarkë. Filmin e parë e realizoi në vitin 1991, dokumentarin «Për një centimetër», me të cilin e fitoi çmimin e parë në Festivalin e Torinos. Filmi i parë artistik vjen në vitin 1994, metrazh i shkurtër «Qind për qind», në bashkëpunim me Petrit Rukën, me të cilin e realizoi edhe filmin «Plumbi prej plasteline» (1996), «Nata pa hënë» (2001), «Kronikë provinciale» (2009), «Gjallë» (2009). Është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare. Artan Minarolli ishte drejtori i Arkivit të Filmit.

Më 27 maj, në qytetin e Sionit të Zvicrës, u organizua një mbrëmje filmi. Organizator i këtij evenimenti është «Association Academie Albanaise» («Shoqata Akademike Shqiptare»), në bashkëpunim me Komunën e Sionit. Filmin «Një kronikë shqiptare» kishin mundësi ta përcillnin të pranishmit e shumtë, e në mesin e tyre kishte edhe miq zviceranë. Filmi për të cilën nisën xhirimet gati katër vjet më parë sjell në rolet protagoniste një kastë të njohur aktorësh, që nga Robert Ndrenika, Fadil Hasa, Birçe Hasko, Aleko Prodani, Mirush Kabashi, Margarita Xhepa, Ndriçim Xhepa, Arta Dobroshi, Tedi Papavrami etj. Subjekti i filmit i vendos ngjarjet në qytetin e Beratit. Jeta në këtë qytet, mes thashethemeve e përditshmërisë të personazheve, sjell edhe violinistin Tedi Papavrami, si një djalë i cili ka studiuar për pikturë jashtë vendit, në Francë.

Filmi «Kronikë provinciale» trajton dukuri të rilindjes sociale, shpirtërore e politike të tranzicionit postdiktatorial në një qytet provincial në jug të Shqipërisë, që jeton në thjeshtësinë, në përditshmërinë, në meskinitetin dhe madhështinë e tij. Një kronikë e zhurmshme, një përrallë për tolerancën dhe intolerancën, për pavarësinë e mendimit dhe respektin ndaj tjetrit. Me regjisorin Artan Minarolli u takuam në Sion dhe patëm mundësi ta realizojmë këtë intervistë.

I nderuar z.Minarolli, këtu në Sion, 90% e publikut ishin zviceranë. Cila ishte fjala më e mirë që e pranuat nga ndonjë zviceran që e pa filmin?

Në përgjithësi, publiku e priti shumë mirë filmin. Pas shfaqjes takova shumë spektatorë që qëndruan, sepse deshën te bisedonin me mua. Secili e kishte pikëvështrimin e tij për tematikën e filmit. Më bëri përshtypje një zviceran me origjine nga një vend në Afrike. Ai e vlerësonte shumë filmin dhe i dukej shumë i përshtatshëm për t’u shfaqur në vendin e tij, ku prej kohesh sundojnë konflikte të mprehta sociale.

Po pse e zgjodhët Zvicrën për ta shfaqur këtë film, e jo ndonjë film tjetër?

Zgjedhja e këtij filmi u bë nga organizatoret e kësaj shfaqjeje, që me sa di unë e ndjekin një program me shfaqje filmash nga të gjitha vendet e botes. Një nga organizatoret dhe ideatorët, z. Arbër Ahmetaj, kontaktoi me mua në Shqipëri dhe propozoi shfaqjen e filmit në Zvicër. Kjo zgjedhje rezultoi shumë e përshtatshme, sepse publiku e priti shumë mirë.

Sikur të kishe mundësi, çfarë do të kishe ndryshuar në këtë film?

Filmi ka ende nevoje për procesin e montazhit, sidomos për montazhin e zërit. Për mua, filmi ende nuk është mbyllur. Për këtë arsye, edhe nuk ka pasur një shpërndarje të plotë. Por, kjo është një çështje që u përket producentëve.

Z. Minarolli, si është gjendja Qendrën Kinematografike Shqiptare, e kam fjalën nëse keni pengesa financiare për ta realizuar atë që e keni pasur ndërmend para se të jesh i pari i kësaj qendre?

Unë prej disa kohësh nuk jam më kryetar i kësaj qendre, megjithatë mund të them që kjo qendër vuan ende nga fondet shumë të vogla që jepen për kinematografinë shqiptare. Kjo ka sjellë që të mos prodhohen më shumë se dy filma të gjatë, disa filma të shkurtër dhe dokumentarë brenda një viti.

Si është sot, në përgjithësi, filmi shqiptar?

Në Shqipëri ekziston një traditë shumë e pasur kinematografike. Në të kaluarën prodhoheshin shumë filma. Pavarësisht nga ngjyrimet politike të asaj kohe, u arrit të krijohej një industri prodhuese dhe publiku shqiptar është mësuar me idenë e filmit shqiptar. Prandaj, sot kërkesat janë të mëdha. Publiku pret më shumë nga kineastët.

Bashkëpunoni me aktorët e trevave tjera shqiptare?

Aktoret shqiptarë të trevave tjera kanë qenë pjesëmarrës në kinematografinë shqiptare. Ata e kanë luajtur një rol të madh në zhvillimin e dimensioneve të reja të interpretimit në shqip. Regjisorët shqiptarë gjithnjë janë të interesuar për aktorët kosovarë, shqiptarë të Maqedonisë dhe shume të tjera në vende të tjera.

Ju kujtohet ku jeni pritur më mirë me rastin e shfaqjes së ndonjë filmi?

Kam qenë në shumë festivale ndërkombëtare me filmat e mi, me ç’rast në disa kam marrë edhe çmime të rëndësishme. Në Romë ka qenë një mbresë e pashlyeshme, kur e mora çmimin e pare për filmin «Nata pa hënë». E gjithë media u përqendrua tek unë dhe unë isha heroi i këtij festivali. Kudo isha i ftuar dhe agjenda e takimeve ishte shumë e ngjeshur. Por, edhe në Festivalin e Rotterdamit, ku filmat e mi u shfaqën në premierën botërore. Gjithashtu, në Los Anxhelos dhe Palm Spring.

Çarë filmash janë planifikuar në një të ardhme të shpejtë? 

Ky vit ka qenë i pasur me premiera të filmave të rinj. Ndër ta «Amaneti» i Namik Ajazit, «Ada» i Spartak Peçanit, «Amsterdam Ekspress» i Fatmir Kocit. Priten edhe premierat e filmit «Bota» i Iris Elezit, si dhe «Engjëjt janë larg» i Gjergj Xhuvanit. Gjithashtu, së shpejti pritet një konkurs në Qendrën Kombëtare Kinematografike në Shqipëri. Konkursi është shumë i fortë se janë paraqitur me dhjetëra projekte për filma, por që fondi vjetor nuk lejon që të fitojnë më shume se 2-3 projekte për t’u realizuar vitin që vjen.

Si është gjendja e Arkivit të Filmit?

Unë kam qenë dikur drejtor i Arkivit të Filmit. Është një institucion që i shërben shumë mirë ruajtjes dhe përmirësimit të fondit kinematografik shqiptar. Aty punojnë specialistë që i ruajnë dhe kujdesen për të gjithë filmat që janë xhiruar në Shqipëri nga të huajt qysh në vitin 1913 dhe deri te filmat që kanë filluar të prodhohen nga Kinostudioja «Shqipëria e Re», në vitet e ‘50-ta deri në të ‘90-tat.

A po punohet për digjitalizimin e Arkivit?

Digjitalizimi i filmave të Arkivit ka filluar që prej shumë vitesh dhe me sa di unë sot është drejt përfundimit. Situata tash është shumë më ndryshe. Publiku mund t’i kontrollojë online të gjithë titujt e filmave online. Ështe krijuar një klimë shumë e favorshme për të gjithë studiuesit dhe dashamirët e filmit shqiptar, për t’u njohur me çdo material filmik. Arkivi i Filmit është modernizuar dhe është bërë më i hapur për publikun. Gjithashtu ka filluar dhe restaurimi i disa filmave shqiptarë me teknikat e reja teknologjike.

Ç’mendim keni për Ligjin për kinematografinë në Shqipëri?

Ligji për kinematografinë është shumë modern. Ai e ka krijuar mundësinë e krijimit të Qendrës Kinematografike me një profil bashkëkohor që i hap rrugë produksionit dhe lirisë krijuese. Natyrisht sot koha kërkon disa përmirësime në këtë ligj që t’u krijojnë më shumë lehtësira bashkëprodhimeve me të huajt, por edhe për të ndihmuar më shumë në promovimin dhe distribucionin e filmave shqiptarë.

Duhet bërë më shumë për filmin shqiptar?

Natyrisht, duhen bërë më shumë filma shqiptarë. Ajo është dritarja e vetme nga ku mund të shikohet një botë shqiptare. Në të projektohet koha që po kalojmë, e kaluara dhe ëndrrat, shpresat për të ardhmen. Duhet më shumë vëmendje nga politika dhe më shumë fonde nga shteti, jo vetëm për ta mbajtur gjalle këtë kinematografi, por dhe për t’i nxitur kinestët shqiptarë që e pasqyrojnë kohën tonë.

Bashkëpunoni edhe me aktorët e gjeneratave të reja. A janë më shumë të dhënë pas filmave të shkurtër e videoklipeve, apo edhe filmave me metrazh të gjatë?

Sot praktikohen të gjitha formatet e filmave. Brezi i ri është më shumë i prirë ndaj filmave të shkurtër, përkatësisht vidioklipeve. Kjo për arsye, sepse ky brez ka vështirësi të sigurojë fonde për filma të gjatë, por edhe sepse i mungon eksperienca dhe kërkon ta thotë fjalën e tij me filma të shkurtër, të cilët nuk janë të kushtueshëm dhe realizohen shpejt.

Me filmin «Alive» («Gjallë») keni marrë pjesë në Festivalin e Filmit «Palm Springs», që mbahet në Los Anxhelos. Si e kaluat atje?

Me filmin «Gjallë» kam qenë në Festivalin «Palm Springs» në Los Anxhelos. Ishte një festival gjigant, ku m’u bë një pritje shumë e këndshme. Filmi u shfaq pesë here brenda një jave dhe kam pasur shumë intervista dhe takime me publikun. Ishte një aktivitet i madh, që më ka lënë shumë mbresa.

Gjithashtu keni marrë pjesë edhe nëpër festivale të tjera evropiane dhe botërore. Sa vlerësohet filmi shqiptar?

Filmi shqiptar pritet me shumë interes. Pjesa tjetër e botes pret të shohë më shumë nga një vend me një të kaluar të erret, por që përpiqet sot me energji për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Pasuria e subjekteve, si dhe stilistika e veçantë e trajtimit të këtyre subjekteve ka krijuar një pamje origjinale të kinematografisë shqiptare.

A është i lodhshëm profesion që ushtroni?

Shumë i vështirë. Kineastët vuajnë shumë për t’i gjetur fondet e nevojshme për t’i realizuar veprat e tyre. Gjithashtu, problem i madh është edhe mungesa e një rrjeti distribucioni që kineastëve do t’u siguronte qarkullimin e veprave të tyre jashtë kufijve.

Sipas burimeve tona, e keni ndërmend ta realizoni një film sesi organizohen zgjedhjet në Shqipëri. A mund të na tregoni, sa është kjo e vërtetë?

Po, e kam një projekt të tillë. Filmi sigurisht nuk është politik. Unë e kam zgjedhur pikërisht ditën e zgjedhjeve si një dite kur shoqëria shqiptare shfaqet me gjithë potencialin e saj shpërthyes dhe nga ku bëhet një skanim social i shoqërisë sonë.

Atëherë kur do të përfundojë ky film dhe kush do të luajë, apo kush do të jetë aktori kryesor i tij?

Unë po merrem me ‘casting’ dhe me rregullimin e skenarit. Duhet disa kohe për t’i gjetur financimet. Filmi kërkon kohën e vet për t’u përgatitur.

E keni vështirë të bashkëpunoni me aktorët tanë që jetojnë në Shqipëri?

Jo, asnjë vështirësi. Përkundrazi, është kënaqësi të bashkëpunosh me aktorët. Aktorët janë fytyra e filmit. Pa ta asnjë film nuk do të qëndronte në këmbë. Bashkëpunimi me aktorët është pjesa më e bukur e procesit të realizimit të filmit.

Po me aktorët tjerë, që janë jashtë Shqipërisë?

E njëjta gjë ndodh edhe me aktorët jashtë Shqipërisë.

A do të duhej të investohej më shumë në film?

Natyrisht. Filmi kërkon para. Kërkon akoma më shumë para kur duhet bërë siç duhet. Duhet pasur parasysh që filmi e rikrijon një botë dhe që të realizohet kjo kërkon shumë para, përndryshe do të ishte i gënjeshtërt dhe fals.

Nga këndi juaj, si e sheh filmin shqiptar në Kosovë dhe Maqedoni?

Në Kosove filmi ka filluar të ecën drejt modernizimit. Qendra e re Kinematografike është duke mbështetur bashkëprodhimet e reja të filmave kosovarë. Gjithashtu, në Kosovë po punohet shumë për promovimin e kinemasë së re kosovare. Natyrisht, ka autorë të traditës që janë legjendë e kinemasë kosovare. Ata ende janë shumë aktivë dhe e thonë fjalën e tyre në kinemanë kosovare. Ndërsa në Maqedoni autorët shqiptare ende janë prapa në shprehjen e identitetit të tyre. Por, sot faktori shqiptar është bërë shumë i fortë në Maqedoni dhe artistët shqiptarë shumë shpejt do ta gjejnë personalitetin e tyre krijues.

Keni pasur dhe besoj se keni kontakte të shpeshta me mërgimtarët. Keni menduar ta realizoni ndonjë film me temë nga mërgata shqiptare?

Kam shumë dëshirë të marr pjesë me këto tema, por ta them të drejtën nuk e njoh shumë mirë. Më duhet të qëndroj disa kohë jashtë Shqipërisë që ta kuptoj dhe ta ndiej më mirë këtë tematikë. Megjithatë, më duket shumë interesante dhe ka shumë vend për subjekte të bukura.

Koha e lirë e Artan Minarollit?

Termi ‘kohë e lirë’ për mua është pak i ndryshëm. Unë lirinë e vlerësoj kur ajo është e mbushur me punë. Jashtë kësaj kohe, d.m.th. thjesht koha e lirë pa bërë asgjë më sëmurë, më bën me dhembje koke. Pra, nuk mund t’i ndaj kohën e lirë nga ajo që punoj. Kjo vjen ndoshta nga proceset e veçanta të punës që ka realizimi i një filmi. Nuk mund ta komandosh nganjëherë procesin e të menduarit dhe t’i japësh urdhër që të bëjë pushim. Është çështje pasioni dhe kënaqësie.

Ju faleminderit shumë i nderuar për këtë bashkëbisedim!

Me nder qofshi! Kënaqësia ishte imja dhe suksese në punën Tuaj. Intervistoi: Dashnim HEBIBI (presheva.com, dialogplus.ch)