SHPËRNDAJE

 

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka njoftuar se do t’i kërkojë Qeverisë së Kosovës ndarjen e 40 mijë eurove për renovimin e një shkolle në Bujanoc, pasi, gjatë vizitës së tij dy ditë më parë atje, i ishte shprehur shqetësimi për kushtet e rënda të nxënësve.

Tahiri ka shkruar në profilin e tij në Facebook se do të propozojë që këto mjete të merren nga Ministria e Drejtësisë, të cilën e udhëheq ai.

“Sot do t’i kërkoj Qeverisë së Republikës së Kosovës ndarjen e 40 mijë eurove për renovimin e një shkolle në Bujanoc, me propozimin që këto mjete të sigurohen nga buxheti i ministrisë që drejtoj unë. Nxënësit e kësaj shkolle e kanë të domosdoshëm përmirësimin e kushteve dhe ky ishte një shqetësim që dëgjova nga Kryetari i Komunës, Shaip Kamberi, gjatë vizitës që pata dy ditë më parë atje”, ka shkruar Ministri Tahiri.

Ai, po ashtu, ka thënë se Lugina e Preshevës ka nevojë për përkrahjen e institucioneve kosovare dhe përkushtimi duhet të rritet.

/presheva.com