SHPËRNDAJE

Një grup studentësh nga Presheva dhe Bujanoci që studiojnë në universitetet shqiptare, zhvilluan dje (23 janar) një takim me ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Shqipërisë, Erion Veliaj, nga ku kanë sjellë në vëmendje nevojën për nënshkrimin e një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj serbe për njohjen reciproke të diplomave.

Në takimin që studentët patën me ministrin Veliaj, kanë kërkuar nga qeveria shqiptare edhe dhënien e bursave për studentet e Luginës së Preshevës, apo zgjidhjen e çështjes së kuotave të specializimit, pranë Universitetit Mjekësor të Tiranës. Nga ana tjetër, ata kanë kërkuar edhe më shumë mbështetje për projektet e ndërmarra në të ardhmen nga Unioni Studentor i Luginës së Preshevës dhe nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si dhe lehtësime rreth procedurave të punësimit, për ata që dëshirojnë të punësohen në Republikën e Shqipërisë pas mbarimit të studimeve.

Ministri Veliaj u shpreh se do të organizojë takime periodike me studentët e Luginës së Preshevës, për t’u njohur me vazhdimësinë e problemeve të tyre, heqjen e pengesave ligjore me Kosovën sa i përket lejeve të punës, si shembull për ta zgjeruar këtë praktikë me shqiptarët e Maqedonisë dhe Preshevës, si dhe se çështja e diplomave do jetë pjesë e axhendës së diskutimeve që Kryeministri Edi Rama do zhvillojë gjatë vizitës së tij në Serbi.

Madje, Veliaj hodhi idenë për një kërkesë ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që studentët e shkëlqyer nga Presheva të kenë mundësinë të përfitojnë nga fondi i ekselencës.
Erion Veliaj është një nga politikanët që e ka vizituar vazhdimisht Luginën e Preshevës, duke i kushtuar një vëmendje të vazhdueshme asaj, ndërsa Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë është ministria e parë që akordoi një fond për organizimin e edicionit te trete te Festivalit te Fotografisë “PRE FOTO” të zhvilluar në nëntor të vitit të kaluar në Preshevë. /Valon GASHI, presheva.com/