SHPËRNDAJE

Mjek

Një situatë e vështirë e ka prekur sektorin e shëndetësisë në Kosovë, pasi gjithmonë e më tepër, mjekët dhe infermierët po emigrojnë drejt vendeve europiane për një punë që do t’i sigurojë më shumë të ardhura.

Vetëm nga Qendra Emergjente, gjatë vitit 2014, kanë ikur më shumë se 10 infermierë, ndërkohë që Qendrën Klinike Universitare, janë punësuar rreth 613 mjekë dhe 1,833 infermierë.

Paga e mjekëve specialistë është rreth 600 euro në muaj, derisa infermierët paguhen me rreth 300 euro në muaj.

Drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani, gjatë një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, ka deklaruar se shumë mjekë e infermierë po ndjekin kurse të gjuhës gjermane, pasi shteti gjerman ka kërkesa të madha për infermierë, gje e cila u ka interesuar mjekëve tanë për shkak të kushteve më të mira të punës dhe pagës më të lartë.

Por, Ministria e Shëndetësisë e justifikon këtë gjë duke thënë se fenomeni i ikjes së stafit profesional nuk po godet vetëm Kosovën.

“Lëvizja e stafit, përkatësisht e infermierëve, por edhe e mjekëve, nuk është trend që ndodh vetëm këtu. Me këtë dukuri po ballafaqohen edhe shtetet tjera. Por ajo që na mbetet neve është që të krijojmë mundësi që pas kryerjes së shkollimit profesionistët ta gjejnë veten këtu.


Ka shumë shtete që ballafaqohen me këtë fenomen, si vetë Gjermania, ku stafi po u ikën në vendet skandinave”, ka thënë Faik Hoti, drejtor i departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, transmeton “REL”.