SHPËRNDAJE

Moikom Zeqo vjen në duart e lexuesit me librin më të ri poetik ʺ GOLGOTË FLUTURASHʺ, botuar nga shtëpia botuese West Print, me 558 faqe. “ Libri i kushtohet poetit të shquar amerikan Stephen Todd Booker”.

Limfa krijuese e Moikomit është një lëng me amfora të njelmëta moikomiane. Me zhdërvielljen e strofave poetike si gjerdanët e një perëndeshe të bukur që dredh në duar të gjithë kozmosin e shkuar poetik.

Ҫ’do rruazë është një figurë poetike që mbart planete të tërë dijesh, shijesh krijuese arktike dhe të nxehta, të forta shkëmbore, të dashura të mistershëme, aromë erosi si një kullë inkandeshente me stil moikomian.

Kur prek rreshtat e librit ʺ Golgotë Fluturashʺ ndien se në tavolinën poetike të Moikomit vjen pak ndrojtur Pushkini, i mat këmbët Pol Elyar, De Rada, Azdreni, Migjeni pak më të lirshëm si shkak i vendodhjes. Anatol Frans ndihet pak i ngjyrrur, ka një kollë të pranueshme.

Aristofani me Eskilin e shikojnë drejt e ne sy mikpritjen e tij, por janë vendosur diagonal, se përball ka zgjedhur Volterin, Homerin dhe Sokratin. Shekspirit i bën një vend me sqimë bashkë me Derridan kurse Frojdin e kap për mënge ti tregoj karrigen. Kështu nis sofrën me gostisjet poetike gjithë krenari Moikomi ynë.

Si kalorës i dijes Moikom Zeqo e rrufit të tashmen me futurizmin e matshëm për të shkuar përtej zanafillës, përtej nostalgjisë, përtej të përtejshmes poetike dhe na sjell historinë tonë të panjohur. Të ngecur në nofullat e harresës, të kollofitur copëzat e saj nga stomakët e bibliotekave botërorë, të varrosur nëndhe si për ta fluturuar atë me duart e tij drejt amshimit pa kohë.

Kjo vepër poetike ka stilistikën e veҫantë të autorit në lëvrimin e një fjalori tejet grotesk; të larmishëm, vallëzonjës si ngjyrat e Onufrit.

Poezia e tij me një sistem metaforash dhe figurash si një qytet letrar tërësisht i ndërtuar nga eklektizmi i Moikom Zeqos.

Libri poetik ʺGolgotë Fluturashʺ është jo vetëm poezi që të rrëmben stuhishëm por një bibliotekë e madhe me vezullime kënaqësish dhe dijesh.

ʺ Se poezia s’shpreh asnjë realitet, ajo është vet realitetiʺ

SI TA RISHPIK?

Si ta rishpik trupin e mbretit ilir Gent
Të verë sandalet prej bronxi
E të bredhë repsheve për të më sjellë
Lulen Gentiana?

Nga mesi e sipër jam albatros
Dhe nga mesi e poshtë delfin,
Vetëm kërthizën
E kam prej njeriu!

Yjet i mbledh në një lotore qelqi,
Stërkalat e detit
Janë ashklat e një trungu
Nën sopatën e Hënës!

Ra pema e utopisë së vargjeve
Në strallin e mitit,
Nën kafkën e Behemotëve viganë
Truri im projekton kozmosin e dytë!

Gena Bakiasi