SHPËRNDAJE

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj ka reaguar pas kandidimit të Vjosa Osmanit për kryeministre të Kosovës nga LDK.

Molliqaj në shkrimin e bërë në Facebook ka thënë se kandidimi i Vjosa Osmanit për kryeministre nga LDK,  shpërfaqë  frikën e partive tjera të mëdha, përballë koalicionit të tyre.

Sipas tij, Vjosa Osmani është e pafuqishme.

“Vjosa Osmani, ani pse është personalitet i respektuar brenda votuesve të LDK-së, është shumë e pafuqishme. Në radhë të parë, nuk e ka mbështetjen e partisë së saj, e cila para dy viteve e vendosi atë në fund të listës së deputetëve, ndërsa sot vendosi ta kandidojë për kryeministre vetëm për të fituar disa vota. Pra, përderisa Vjosa do të jetë vetëm figurë për elektoratin, vendimet do të vazhdojnë të merren nga ‘të fortit’ e LDK-së”, ka shkruar ai.

Tutje Molliqaj në shkrimin e bërë ka thënë se Vjosa Osmani nuk paraqet profilin e duhur për të marrë përsipër dialogun me Serbinë.

“Në radhë të dytë, duke pasur parasysh negociatat e pashmangshme me Serbinë, ku kërkohet qëndrueshmëri dhe vendosmëri politike, e dëshmuar kjo nga Kryeministri Haradinaj, Vjosa nuk e paraqet profilin e duhur për të marrë mbi supe përgjegjësi kaq të madhe. Një person që ka pranuar përbuzjen brenda partisë, nuk mund ta udhëheq vendin në negociata me Serbinë”, vijon shkrimi i Molliqajt.

Sipas deputetit Molliqaj, vendimi i LDK-së ka lënë jashtë loje Albin Kurtin.

“P.S. Albin Kurti përfundimisht doli jashtë loje nga ky vendim i LDK-së.

Iu lut Isa Mustafës në gjunjë për ditë me radhë për ta bërë kryeministër, duke e dëshmuar që për pushtetin e vet personal është i gatshëm t’i harroj të gjitha dallimet politike. Në fund, siç edhe dihej, LDK-ja e përbuzi dhe nuk e pranuan si kandidat”.