SHPËRNDAJE

Alvaro Morata ka shkëlqyer me dygolësh në fitoren 2-0 të Chelseat ndaj Nottingham Forestit në të shtunën në Londër – duke i ndihmuar të ekipit të tij të kalojnë në rundin e katërt të FA Cup – në një ndeshje në të cilën Cesc Fabregas i dha lamtumirën të kaltërve.
Chelsea shënoi fitore të rehatshme ndaj skuadrës së nivelit të dytë të futbollit anglez, por falë dy golave të Moratës, në një ndeshje që legjenda Cesc Fabregas i dha lamtumirën klubit londinez.

Mesfushori spanjoll pati mundësi të shënojë në ndeshjen e lamtumirës së tij për Chelsean, por gjuajtjen e tij nga pika e bardhë e priti për mrekulli Luke Steele pas gjysmë ore lojë në Stamford Bridge.

Në fund të pjesës së parë, Maurizio Sarri e solli në lojë Eden Hazardin në vend të Loftus-Cheek, njeriut që e kishte fituar penalltinë e humbur nga Fabregas.

Si pasojë, gjërat ndryshuar për të mirë për vendasit, pasi Alvaro Morata e kaloi Chelsean në epërsi 1-0 pesë minuta brenda pjesës së dytë, falë një superharkimi të të riut Hudson-Odoi.

Vetëm pak minuta pasi e humbi një rast të pastër tmerrësisht duke mos qëlluar në portën bosh nga dy metra largësi, Morata e dyfishoi epërsinë duke ia siguruar Chelseat një vend në rundin tjetër të FA Cup.

Pesë minuta para fundit, Fabregas u përshëndet me Chelsean, duke ia liruar vendin N’Golo Kantes, në atë që ishte ndeshja e tij e fundit për të kaltrit.

Fabregas pritiet t’i bashkohet Monacos së Thierry Henrys në Ligë 1 gjatë javës së ardhshme, derisa kontrata aktuale me Chelsean i skadon në verë.