SHPËRNDAJE

Sulmuesi i Chelseat, Alvaro Morata, ka thënë se “nuk do ta kisha lënë kurrë Italinë dhe Juventusin”, nëse gjithçka do të ishte në dorën e tij.

Morata fitoi dy Scudetto në dy sezone te Juve, gjithashtu mori edhe medalje të Ligës së Kampionëve, para se të kthehej në Real Madrid.
Sido që të jetë, rikthimi i spanjollit në “Santiago Bernabeu” ishte i shkurtër. Pavarësisht formës fantastike në sezonin 2016/17, Zinedine Zidane preferoi gjithmonë Karim Benzeman para spanjollit, duke e detyruar të largohet për Chelsean.

“Pse zgjedha të kthehem në Madrid? Sepse ishte marrëveshje dhe duhej që të respektohet”, tha ai për “Gazzetta dello Sport”.

“Shkova atje si djalosh, u largova si lojtar i vërtetë. Për spanjollët, Italia është vendi më i mirë për të jetuar. Ke gjithçka: gjëra të bukura, histori, art, ushqimi, moda. Nuk do të isha larguar kurrë nga Juventusi dhe Italia”, shtoi Morata, duke treguar në njëfarë mënyre se ishte i detyruar të respektonte marrëveshjen që kishin bërë klubet.

Morata ka bërë 11 paraqitje këtë edicion në të gjitha garat për “Blutë e Londrës”, ku ka shënuar shtatë gola, gjashtë prej tyre në Premierligë.