SHPËRNDAJE

Pasi turpëroi Arsenalin e Wenger me triumfin bindës 6-0, Jose Mourinho nis të mendojë për çerekfinalet e Champions League, ku pas gati 10 ditësh Chelsea do të udhëtojë drejt Francës për t’u ballafaquar me Paris Saint Germain në “Parc des Princes”. “The Special One” vazhdon të mbetet i pandryshuar në deklaratat që ka bërë edhe më parë, duke insistuar se parizienët konsiderohen favoritë përballë “Bluve” Londinezë.

“Mendoj se janë të lumtur që do të luajnë kundër nesh. Besoj se të gjithë dëshironin nga shorti që të përballeshin me Chelsean, kështu te Paris Saint Germain duhet të jenë të kënaqur që dëshira u është plotësuar. Edhe ne po ashtu jemi të lumtur sepse do të vazhdojmë të luajmë kundër skuadrave më të mira me lojtarët më të mirë. Eshtë diçka e mirë për zhvillimin e ekipit, sidomos për lojtarët e rinj. E dimë që do ta kemi të vështirë, por duam të kënaqemi sa më shumë në këto dy takime me Parisin”, ka thënë portugezi.

Me sfidën e dytë që pas një jave luhet në Londër, Mourinho refuzoi të pranojë se Chelsea mund të jetë i favorizuar nga ndeshja e shtëpisë.

“Ndeshja e kthimit është një avantazh për skuadrën që luan në transfertë sepse nëse takimi shkon në shtesë, një gol vlen dyfish dhe sigurisht që Paris Saint Germain do të jetë më i favorizuar”, vijoi Mourinho.

Tekniku portugez nuk la pa përmendur edhe faktin se te Parisi çdo lojtar do të marrë një bonus prej 1 milion eurosh në rast triumfi në Champions, ndonëse kjo shifër është mohuar nga drejtuesit e klubit francez.

Por ndryshe nga parizienët, Mourinho deklaroi se nëse do të jetë Chelsea kampion i Championsit këtë sezon, një pjesë e të ardhurave të tij do të shkojnë si donacion për një fondacion bamirësie.