SHPËRNDAJE

Shkruan: Fitim Hajrullahu

Presheva si një tërësi e vendbanimeve e cila në krahasim me qytetet për rreth sajë e sidomos pas vitit 1912 vazhdimisht ishte lënë pas dore dhe anashkaluar pothuaje se në të gjitha segmentet e jetës e sidomos në aspektin nacional, politik por edhe ate social e ekonomik. E gjithë kjo si pasojë e pushtimit serb të kësaj treve e cila ishte e banuar me popullatë shumicë shqiptare. Mirëpo ishin edhe disa periudha kohore kur është tentuar që të bëhet dicka në favor të përmirësimit të jetës së qytetarëve të komunës së Preshevës e që në atë kohë ishte një jetë shumë e vështirë si në aspektin e sigurisë edhe në ate të drejtave të mohuara nacionale por edhe në aspektin ekonomik për familjet shqiptare . Pas Plenumit të Brioneve dhe ndryshimeve kushtetuese të vitit 1966 filluan të relaksohen raportet e sistemit shtetërorë ndaj shqiptarëve, sigurisht jo në atë masë sa duhej të ishin por në krahasim me ate se sa ishin deri atëherë , filluan të zbuten. Si vazhdimësi e kësaj fryme në vitin 1970 për herë të parë shqiptarët fituan edhe Universitetin e Prishtinës . Me këtë shqiptarët fituan një armë shumë të fortë për zhvillim dhe avancim gjithë kombëtarë në të gjitha sferat e jetës. E gjithë kjo sigurisht që u reflektua dhe pati jehonë edhe në komunën e Preshevës. Kështu që në fund të viteve të 60-ta dhe në fillim të viteve të 70-ta në komunën e Preshevës për herë të parë filluan të ndërtohen shumë objekte shkollore e kulturore por edhe infrastrukturore dhe ekonomike . Udhëheqësit e komunës tashmë me kuadro shqiptare edhe pse me shumë vështirësi filluan të ndyshojnë të dhënat statistikore për Preshevën në shumë drejtime . Por Presheva vazhdonte ende të ishte ndër komunat më të pa zhvilluara në vend. Ndër investimet ekonomike kryesore dhe shumë të rëndësishme për komunën e Preshevës për atë kohe ishte i Pendës së Rahovicës si një investim kapital dhe afatgjatë i komunës sonë.

Foto e vitit 1974, gjatë punimeve te Penda e Rahovicës (huazuar nga Begoll Osmani Çitaku)

Duke pasur parasysh relievin dhe pozitën gjeografike të komunës së Preshevës e cila është e pasur me ujë dhe e rrethuar me male për rreth dhe fushën e sajë , e që ishte çelesi i ekzistencës ekonomike të familjeve shqiptare si dhe aktiviteti bujqësorë e ekonomik i popullatës së kësaj treve ishte i domosdoshëm investim afatgjatë në atë drejtim. Në vitin 1973 për fat të mirë të një plani për zhvillim ekonomik 5 vjecarë të atyre viteve si dhe ndërmarrjes bujqësore e prodhuese “ Delishes “ nga Vladicki Hani , udhëheqësit komunal të Preshevës me në krye Hasan Hajrullahun kryetarë i komunës në atë kohë filluan përgatitjet serioze për ndërtimin e një Pende në komunën e Preshevës.

Hasan Hajrullahu -kryetar I  komunës , inicues dhe realizues i ndërtimit të Pendës së Rahovicës ( foto e vitit 1973)

Analizat dhe hulumtimet me ekspertë të bujqësisë dhe të menaxhimit të ujrave kishin dhënë propozime që fusha e Preshevës të ketë sistemin e ujitjes përmes ndërtimit të Pendës mbi fshatin Rahovicë ku kapaciteti i burimit të ujërave dhe derdhjeve të tjera të kenë furnizime të përhershme në këtë Pendë. Edhe pse kishte shumë vështirësi dhe pengesa nga qarqe të ndryshme që ky projekt të mos fillojë të realizohet në komunën e Preshevës , udhëheqësit e atëhershëm komunal ishin të vendosur dhe këmbëngulës që ky projekt me rëndësi jetike për qytetarët e Preshevës të realizohet plotësisht.

Pjesë nga procesverbali i takimeve të para të udhëheqjes komunale  dhe udhëheqësve të Odës Ekonomike dhe sipërrmarjes së ujërave për nisjen e projektit të Pendës së Rahovicës , mbajtur më 22.01.1973

Kështu që pas një angazhimi të madh dhe nën mbikqyrje të shtëpisë projektuese “ Jaroslav Cerni “ kishte filluar ndërtimi I Pendës së Rahovicës. Kjo ishte një projekt kapital dhe me plot shpresë ku njëherit edhe ishte mirëpritur mirë nga qytetarët e kësaj treve. Qëllimi i realizimit të këtijë projekti sipas drejtuesve të pushtetit lokal të atëhershëm në krye me zotin Hajrullahu kishte për qëllim nxitjen dhe zhvillimin e bujqësisë dhe pemtarisë por edhe ngritjen e kapaciteteve ekonomike e bujqësore të qytetarëve të komunës së Preshevës. Shumë të punësuar në këtë objekt ishin nga fshati Rahovicë e që njeri ndër ta që më së gjati kushte punuar aty ishte edhe Hysen Cen Paja . Duke e parë këtë projekt nga kjo distancë kohore lirisht mund të themi se ka qenë një investim shumë i qëlluar dhe i duhur si në aspektin ekonomik por edhe në atë kombëtarë. Sipas statistikave të asaj kohe në vitin 1971, 70% e popullsisë që ishte shumicë shqiptare merrej me bujqësi dhe blegtori andaj investimi në këtë veprimtari ishte investim në ekzistencë dhe qëndrueshmëri duke krijuar për banorët siguri ekonomike dhe egzistenciale që për atë periudhë kohore ishte primare. Gradualisht filluan të hapen edhe reparte të tjera ekonomike e industriale që sado pak i ndryshuan të dhënat statistikore në aspektin ekonomik e social në komunën tonë duke patur parasysh se dallimet ishin shumë të dukshme nga komunat fqinje. Andaj fatmirsisht Penda e Rahovicës edhe në kohën e sotme e ka peshën dhe rëndësinë e sajë si në aspektin bujqësorë por edhe në ate ekonomik sepse janë hapur mundësitë që në aspektin rekreativo- turistik të shfrytëzohen potencialet e kësaj hapësire edhe pse në administratën komunale nuk egziston asnjë dukument për këtë objekt. Andaj edhe organet komunale duhet të nxisin dhe të stimulojnë bizneset vendore dhe investitorët e mundshëm potencial që të investojnë në ato hapësira duke krijuar kushte të volitshme për investime.

Pllaka përkujtimore e dëshmorëve të kombit i bën roje Pendës së Rahovicës

Por ajo që ja shton edhe më shumë madhështinë kësaj hapësire është edhe përmendorja e heronjëve të UCPMB –së si vendrënia e komandant Delltës, Shaban Ukshinit, Sami Ukshini dhe Kastriot Arifit që na shton krenarinë por edhe vend frymëzim për gjeneratat e ardhshme. Duhet të kemi kujdes jo vetëm Pendën si objekt ta ruajmë por edhe hapësirën për rreth sajë ta mirëmbajmë sepse kjo është një perlë që na e ka dhuruar Zoti dhe natyra./presheva.com/