SHPËRNDAJE

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, i shoqëruar edhe nga zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, kanë qëndruar për një vizitë në komunën e Kamenicës.

Ata me këtë rast vizituan drejtorinë e Policisë së Kosovës dhe pikën e kalimit kufitar në Kapi, bën të ditur një njoftim nga MPB.

Zëvendësdrejtori Regjional në Gjilan, Shaban Azizi dhe komandanti i stacionit policor kapiten Nazif Hajrizi, e njoftuan ministrin Sefaj me situatën e përgjithshme të sigurisë në këtë komunë, duke vlerësuar se situata e përgjithshme e sigurisë është e mirë, me përjashtim të rasteve sporadike që nuk ndikojnë drejtpërdrejti në sigurinë e qytetarëve në këtë komunë.

Sefaj falënderoi Policinë e Kosovës për punën e palodhshme që bën çdo ditë në shërbim të qytetarëve të Kosovës, duke vënë në dukje angazhimin e tij personal për përmirësimin e kushteve për Policinë e Kosovës. “Jam duke mbajtur takime të drejtpërdrejta për të parë nga afër situatën e përgjithshme, për të vepruar më pas konkretisht në vizionin për të pasur një polici moderne”, theksoi ai.

Pas takimit, delegacioni vizitoi edhe pikën e përbashkët të kalimit kufitar – Kapi, mes Kosovës dhe Serbisë, ku panë nga afër punimet që janë bërë në këtë pikë. Me këtë rast, u konstatua se në këtë pikë të kalimit kanë mbetur edhe disa punë të vogla për ta funksionalizuar plotësisht, në mënyrë që të lëshohet për qarkullim, që do të ndihmonte në lehtësimin e lëvizjes për qytetarët e kësaj zone.