SHPËRNDAJE

Real Madridi është mposhtur nga Sevilla (2-1) në Estadio Ramon Sanchez Pizjuan, për të mbetur prapa në renditjen tabelare në La Liga.

Mysafirët e filluan mirë sfidën dhe kaluan të parët në epërsi. Cristiano Ronaldo dërgoi një gjuajtje të lirë që u devijua nga Bacca dhe përfundoi në rrjet (14’).

Mirëpo, shumë shpejt Carlos Bacca e barazoi rezultatin (19’). Edhe pse Los Blancos e dominuan fraksionin e parë, ata nuk ishin efektive para portës.

Skuadra e Carlo Ancelottit pati raste edhe në gjysmën e dytë, por nuk i shfrytëzoi. Përkundrazi pranoi gol.

Ivan Rakitic në mënyrë mjeshtërore ia humbi topin Pepes, dribloi përpara dhe asistoi te Carlos Bacca, i cili shënoi golin e dytë personal (72’).

Në ndërkohë, me një gol të Diego Costas (63’), Atletico Madridi e ka mposhtur Granadan për t’u shkëputur në krye të tabelës.

Pas kësaj xhiroje, Atletico Madridi është i pari (73 pikë), Barcelona në vend të dytë (72 pikë), kurse Real Madridi në vend të tretë (70 pikë).