SHPËRNDAJE

Kryetari i Lëvizjes së Progresit Demokratik (LPD), Jonuz Musliu, ka thënë për “Epokën e re” se shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk presin kurrfarë mrekullie nga zgjedhjet parlamentare në Serbi, të cilat do të mbahen më 16 mars.

“Në Luginë të Preshevës është krijuar një atmosferë jo e këndshme rreth zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 16 marsit. Këtë gjendje kaq konfuze e krijoi mosuniteti i spektrit politik shqiptar për të nxjerrë një listë unike rreth këtij niveli zgjedhor. Faji kryesor bie në Partinë për Veprim Demokratik të Riza Halimit, i cili për tre mandate rresht ishte deputet popullor në Parlamentin e Serbisë”, ka thënë Musliu.
Ai ka treguar se në Luginë të Preshevës nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve. “Ai (Riza Halimi) dhe partia e tij ngulën këmbë që për kryesues të listës zgjedhore të mbetet partia e tij, duke injoruar shumicën e partive. Para se të shpalleshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare spektri politik shqiptar i pat pezulluar bisedimet me Beogradin për zgjidhjen e problemeve në Luginë, pikërisht për shkak të joseriozitetit të Qeverisë serbe, injorimit të kërkesave të shqiptarëve dhe diskriminimit sistematik ndaj tyre”, ka deklaruar ai.

Musliu ka thënë se Riza Halimi ka bërë gabim të madh që ka vendosur të garojë në zgjedhjet parlamentare serbe. “Riza Halimi dhe partia e tij kanë bërë gabim të madh që janë ndarë nga trungu i spektrit të përgjithshëm shqiptar për të garuar të vetëm në zgjedhjet parlamentare serbe. Nuk është hera e parë dhe e fundit që ish-deputeti Riza Halimi bën gafa. Ai të gjitha këto lëvizje të çakorduara i bën për hesap të vet dhe të disa grupeve partiake, të cilat nuk mendojnë e veprojnë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, por për t’i mbushur xhepat, për të ngritur privilegje dhe për t’u pasuruar në kurriz të popullit”, është shprehur Musliu. Në këtë kontekst, Musliu ka bërë me dije se ai dhe partia e tij nuk do ta votojnë Riza Halimin. “Personalisht nuk do ta votoj Riza Halimin, por as partia që përfaqësoj, Lëvizja e Progresit Demokratik, e cila ka qëndrim të qartë për këto zgjedhje”, ka thënë Musliu.

S’presim mrekulli nga zgjedhjet parlamentare serbe

Jonuz Musliu, kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik (LPD), ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk presin kurrfarë ndryshime pozitive nga zgjedhjet parlamentare në Serbi. Ai ka deklaruar se radikalizmi në Serbi është duke u ushqyer nga qarqe të caktuara antishqiptare. “Nuk presim ndonjë mrekulli pas këtyre zgjedhjeve. Radikalizmi në Serbi ushqehet akoma nga disa qarqe, të cilat prej kohësh janë dëshmuar për antishqiptarizëm. Në kuadër të kësaj politike dhe filozofie ata edhe grumbullojnë vota”, ka thënë Musliu.

Ish-lideri politik i UÇPMB-së ka kërkuar nga Serbia që pas zgjedhjeve parlamentare ta ndryshojë Kushtetutën e saj. Ai ka thënë se Beogradi zyrtar duhet ta ndërrojë qasjen ndaj Luginës dhe Kosovës. “Praktika e deritashme na ka mësuar se Serbisë, për t’u liruar nga këto mentalitete të mbrapshta, i duhet rruga drejt proceseve evropiane. Serbia pas zgjedhjeve duhet ta ndërrojë Kushtetutën e vet, e cila është peng e këtyre proceseve dhe njëherë e përgjithmonë duhet ta ndërrojë kursin ndaj pakicave, të cilat janë në numër të madh dhe duhet ta ndërrojë qasjen ndaj Kosovës dhe të heqë dorë nga financimi dhe frymëzimi i strukturave paralele serbe”, ka thënë Musliu.

Lugina zhvillohet kur shqiptarët janë unikë

Kryetari i Lëvizjes së Progresit Demokratik (LPD), Jonuz Musliu, ka thënë se Lugina e Preshevës mund të ecë përpara atëherë kur shqiptarët janë të bashkuar. Unifikimi i Luginës, sipas Musliut, varet edhe nga kontributi i Shqipërisë dhe Kosovës. “Lugina e Preshevës do të zhvillohet e afirmohet vetëm nëse shqiptarët janë unikë në qëndrimet dhe vendimet e tyre kuptohet, me një mbështetje më të madhe të Tiranës, Prishtinës dhe faktorëve ndërkombëtarë. Tjetër alternativë nuk ka”, ka deklaruar Musliu.