SHPËRNDAJE

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arberie Nagavci ka thënë se në parim ky subjekt nuk është kundër arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë.

Nagavci, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se Vetëvendosje ndryshon partnerët në varësi të interesave të Kosovës.

Ajo ka thënë se opozita nuk është kundër një marrëveshjeje, por jo pa u analizuar marrëveshjet e arritura deri më tani.

“Nuk është se ne jemi kundër një marrëveshjeje, por besojmë se është e rëndësishme të analizohem marrëveshjet e kaluara. Është absurde të pritet të shkojmë përpara pa bërë një analizë të atyre që janë arritur deri më tani”.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se nga Serbia nuk është respektuar një marrëveshje shumë e thjeshtë teknike si ajo për njohjen reciproke të diplomave.

“Nëse ne nuk kemi arritur të shohim se nuk është zbatuar asnjëra nga 33 marrëveshjet teknike, po e përmendi vetëm marrëveshjen për njohje të diplomave, atëherë cila është logjika që ne të presim se do të respektohet një marrëveshje politike që është shumë më e thellë se ajo marrëveshja teknike”.

Nagavci ka thënë se është obligim i të gjithëve të pengohet arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë në kushtet aktuale.

“Është obligim i Qeverisë që të pengojë presidentin Thaçi që të vazhdojë të shkelë Kushtetutën, pasi ka tejkaluar kompetencat e tij”, tha ndër të tjera Arberie Nagavci.