SHPËRNDAJE

Mëngjeset e nëntorit të vitit 2000 në malet e Luginës do të zbardhin ngadalë, duke vënë në pah një grusht tytash të bëra bashkë e të kthyera kundër paramilitarëve serbë, të cilët pas shpërnguljes nga Kosova po bënin batërdi, dhunë dhe represion të paparë ndaj shqiptarëve të mbetur jashtë kufirit të Kosovës pa dëshirën e tyre.

Mëngjeset agonin bashkë me krismat e pushkëve që luftonin me më shumë trimëri sesa fuqi. Fat në fatkeqësi për guerilët e rinj do të jetë Marrëveshja e Kumanovës, e nënshkruar mes Jugosllavisë së kapitulluar dhe NATO-s. Kjo marrëveshje nuk i lejonte Serbisë që pesë kilometra përgjatë brezit kufitar me Kosovën të përdorte armatimin e rëndë dhe aeroplanët. E detyruar të luftojë pa artilerinë e rëndë dhe pa aeroplanë edhe pse shumëfish më shumë në numër nuk mundën t’i rezistonin gjatë.

Të turpëruar dhe në panik të madh paramilitarët ikën, duke i lenë edhe armët, të cilët ishin shumë të nevojshme për guerilët. Pas dëbimit të forcave paramilitare pothuajse nga të gjitha vendbanimet shqiptare gueriles ose Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc i lindën probleme të reja. Mbulimin e terrenit me trupat e tyre e që ishin shumë pak për të mbuluar atë terren të gjerë.

Të ndodhur në vështirësi me logjistikë të dobët dhe ushtarë të pakët në numër një pjesë e madhe e terrenit do të mbetej e pambuluar, por kjo gjendje nuk
do të zgjasë shumë, ngaqë radhët do të ngjisheshin me ushtarë të rinj që vinin grupe-grupe çdo ditë nga Kosova dhe nga viseve tjera shqiptare. Të organizuar si asnjëherë më parë edhe popullata civile nuk qëndroi duarkryq, por u bë bashkë për t’i dalë në ndihmë ushtarëve, kryesisht të rinj në moshë e që tokën po e lanin me gjakun e tyre të njomë. Koordinimi dhe bashkimi i të gjithë faktorëve bëri që asnjë pikë e kontrolluar nga UÇPMB-ja të mos bjerë asnjëherë në duart e forcave serbe deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Konçulit, me të cilën do të demobilizohet UÇPMB-ja.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Paqe do të vritet kryenegociatori shqiptar Ridvan Qazimi, komandant “Lleshi”, kështu nënshkrimi i Marrëveshjes për Paqe në mes të UÇPMB-së dhe të palës serbe me garancinë dhe me ndërmjetimin e faktorit ndërkombëtar do të përgjaket. Ditët në vazhdim do të jenë të rënda dhe pa shpresë sidomos për ish-ushtarët. Ata do të ndiqen, do të burgosen, do të dëbohen dhe do të dënohen në procese të montuara në gjykatat serbe.

Edhe sot pas shumë vitesh Lugina e Preshevës është plagë e hapur kombëtare, që kullon dhe shërim kërkon. Shërimi i saj bëhet vetëm nëse ajo i bashkohet përfundimisht dhe plotësisht pjesës nga e cila edhe është shkëputur.
Populli i Luginës, që i ka dhënë aq shumë Kosovës në të gjitha periudhat e saj deri në çlirim, asnjëherë nuk ka dashur të bëhet barrë e shtetit të ri të Kosovës, ai ka heshtur, ka duruar vetëm e vetëm që të mos i prishë punë Kosovës.

Në këtë kohë të tensioneve politike në mes të Serbisë e të Kosovës dhe kërkesave të komunitetit serb që jeton në Kosovë edhe shqiptarët, edhe përfaqësuesit e tyre nga Lugina duhet të jenë të qartë në artikulimin e kërkesave të tyre për të arritur më të mirën e mundshme pa i bërë dëm proceseve politike nëpër të cilat po kalon Kosova.