SHPËRNDAJE

Napoli i ka dhënë fund serisë së Juventusit prej 22 ndeshje si i pamposhtur në Serie A, duke shënuar fitore 2-0 në stadiumin Sao Paolo.

Të zgjedhurit e trajnerit Rafael Benitez ishin dominues gjatë ndeshjes dhe fituan tre pikët me plot meritë.

Ata kaluan në epërsi në fund të pjesës së parë, kur Jose Callejon me plot qetësi arriti të mposhtë portierin Gianluigi Buffon.

Me Juventusin që në pjesën e dytë kërkoi golin e barazimit, vendasit u munduan të shfrytëzojnë kundërsulmet për të shtuar avantazhin, dhe këtë e arritën.

Pas një harkimi nga këndi të humbur nga Bianconerët, Napolitanët bënë një kundërsulm të shpejtë, kur Goran Pandev gjeti Dries Mertens, i cili shënoi në prekjen e parë të topit, pak çaste pasi u inkuadrua si zëvendësues (81’).

Kjo është vetëm disfata e dytë këtë sezon për Juventusin në Serie A dhe e para që nga 20 tetori i vitit të kaluar kur Bianconerët u mposhtën nga Fiorentina.

Juve vazhdon të jetë lider me 81 pikë, 11 më shumë se Roma. Napoli, në anën tjetër, forcon vendin e tretë me 64 pikë, 12 më shumë se Fiorentina në vendin e katërt.

Ndeshja e parë midis dy klubeve përfundonte në favor të Zonjës me rezultatin 3-0