SHPËRNDAJE

Ka ndërruar jetë Sadije Agani, bashkëshortja e veprimtarit të shquar dhe ish-nënkryetarit të LDK-së, Fehmi Agani. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook Mentor Agani, djali i Fehmi dhe Sadije Aganit.

“Lajmeroj te gjithe miqte qe sot ne oret e hershme te mengjesit vdiq nena ime Sadije Agani. Varrimi behet sot (18.07.2018) ne 17:00, ne varrezat e qytetit ne Prishtine”(sic) ka shkruar Mentori.

 

“Kjo nuk është humbje vetëm për Familjen tuaj, por edhe për LDK-në dhe mbarë vendin tonë. Lidhja Demokratike e Kosovës do ta përkujtojë gjithmonë zonjën Agani si një personalitet të jashtëzakonshëm dhe një veprimtare të dalluar në shërbim të Kosovës, duke nderuar emrin e familjes Agani dhe të ish-nënkryetarit njëherësh anëtarit shumëvjeçar të Kryesisë së LDK-së, Fehmi Agani”. – është shprehur Isa Mustafa kryetari i LDK-së,  në një telegram ngushëllimi.

 

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi gjithashtu ka ngushëlluar familjen Agani me rastin e vdekjes nëpërmjet rrjetit social Facebook:  “Me rastin e vdekjes së znj. Sadije Agani, bashkëshortes së njërit prej intelektualëve më të shquar të Kosovës, akademik Fehmi Aganit, u shpreh ngushëllime të gjithë familjarëve dhe miqve të së ndjerës. E kujtojmë me respektin më të madh kontributin e Sadijes e Fehmi Aganit me ide dhe angazhime për çështjen e Kosovës.”

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj poashtu ka përzgjedhur po këtë rrjet social për ti shprehur ngushëllime  familjarëve  Agani me rastin e vdekjes së Sadije Aganit, bashkëshortja e akademik Fehmi Agani. Më pikëlloi lajmi i kalimit në amshim i Sadije Aganit. Si mësuese e zellshme dhe zonjë e nderuar, bashkëshortja e Dr. Fehmi Aganit, profesorit dhe ideologut të Lëvizjes Paqësore të Shqiptarëve të Kosovës të viteve ‘90, i ekzekutuar nga forcat serbe të sigurisë, do të kujtohet ndër breza. Familjarëve e miqve të familjes Agani, ngushëllime të sinqerta! RH