SHPËRNDAJE

Aretha Franklin thjesht e zotëronte këngën. Këngëtarja që definoi muzikën soul të viteve ’60 e që mban epitetin e mbretëreshës së këtij zhanri do të mbahet mend si një nga këngëtaret më të mira të të gjitha kohërave.

E tillë u kujtua edhe në ditën kur lajmi për vdekjen e saj u shpërnda gjithandej nëpër media botërore, e njerëz që e adhuruan publikuan hitet e saj në rrjete sociale. Aretha Franklin, “mbretëresha e muzikës soul”, e njohur për hite si “Respect”” dhe “Think”, ka vdekur në Detroit. Ajo ishte 76-vjeçare. Këngëtarja legjendare ishte diagnostikuar me kancer më 2010, dhe vitin e kaluar kishte njoftuar se po tërhiqej nga muzika. Lidhja e Franklin me muzikën do të zinte fill kur ajo do të bëhej pjesë e korit kishtar, në kishën ku predikonte i ati i saj.

“Por muzika kishtare ishte vetëm pjesë e vokabularit të saj. Qasja lozonjare dhe sofistikimi harmonik i muzikës jazz, dhimbja e sensualitetit të muzikës blues, vrulli i muzikës rock dhe më vonë, emocionaliteti i qëndrueshëm i operës, ishin të gjitha nën komandën e saj”, ka shkruar prestigjiozja amerikane “The New York Times” të enjten, pas publikimit të lajmit për vdekjen e yllit.

Se Franklin kishte karrierë të shkëlqyeshme muzikore u theksua nëpër të gjitha mediat që raportuan se ajo nuk jeton më. Nuk është hiç zor të mbështetet ky konstatim. Ajo ia doli t’i vinte më shumë se 100 single në top-listën “Billboard”, përfshirë 17 në “Top 10” dhe 20 në “No. 1 R&B hits”. Ka marrë 18 “Grammy Awards”, bashkë me çmimin për arritje jetësore më 1994. Në vitin 2010, revista “Rolling Stones” e vendosi në listën me “100 këngëtarëve më të mirë të të gjitha kohërave”. Gjatë karrierës së shtrirë në shtatë dekada, Franklin ka pasur më shumë se 20 hite që kanë kryesuar top-listat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ylli e kishte pasur performancën e fundit në nëntorin e vitit që shkoi në një gala mbrëmje në New York, në ndihmë të “Elton John AIDS Foundation”.

E lindur në Memphis, Franklin qysh në moshë të re kishte marrë mësime nga yjet e muzikës kishtare si Mahalia Jackson dhe Clara Ward.