SHPËRNDAJE

Ndërtimi i objekteve të përhershme të Menaxhimit të Integruar të Kufirit (IBM) mes Kosovës dhe Serbisë, do të fillojë gjatë muajit nëntor dhe dhjetor të këtij viti, si rrjedhojë e marrëveshjes në mes të delegacioneve të këtyre dy shteteve të nënshkruar në Bruksel në vitin 2014.

Ministrja për dialog, Edita Tahiri, ka bërë të ditur për KosovaPress se ndërtimi i objekteve të përhershme të IBM-së ka rëndësi të madhe, sepse me ketë proces rrumbullakohet zbatimi i plotë i Marrëveshjes së IBM-së dhe i Protokollit Teknik, si dhe praktikisht të dyja shtetet do të bashkëpunojnë në fushën e Menaxhimit të Integruar të Kufirit sipas standardeve më të larta të BE-së.Sipas saj, finalizimi i marrëveshjes për ndërtimin e këtyre objekteve është kontribut i të gjitha palëve, që do të mundësojë lehtësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, rritjen e kualitetit dhe sigurisë së kontrollit kufitar, dhe është në funksion të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave për Kosovën.Ajo nuk ka precizuar kur do të përfundojnë punimet e këtyre objekteve, duke thënë se kjo varet nga dinamika e punëve të cilat do t’i zhvillojë UNOPS-i.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, theksoi se ndryshimet pozitive të arritura në veri të vendit janë rezultat i drejtpërdrejtë i dialogut të Brukselit, edhe pse siç tha ai, mbetet akoma shumë për t’u bërë dhe për të krijuar një gjendje çfarë vërtetë dëshirohet. Duke folur për projektet e BE-së në atë pjesë, ai potencoi ndërtimin e objekteve të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit, për të cilat tha se do të nisin gjatë këtij muaji dhe muajit të ardhshëm.Në anën tjetër, qytetarët e Mitrovicës thonë se me ndërtimin e objekteve të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit, po bëhet një punë shumë e mirë.

Shpresa Rafuna, tha për KosovaPress se me ndërtimin e këtyre objekteve do të mundësojë qarkullim më të lehtë të qytetarëve, por edhe siguri më të madhe për ta.Liridon Selimi, ka potencuar se ndërtimi i objekteve të përhershme mes Kosovës dhe Serbisë veç tjerash do të plotësojë edhe kriterin për liberalizimin e vizave, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm nëpër vendet e ndryshme sa më parë.