SHPËRNDAJE

Një person nga Gjilani i Kosovës ka bërë një shpallje për shkëmbimin e 5 hektarëve tokë me krypto valutën Bitcoin ose Ethereum në vlerë prej 50.000 eurosh.
Këtë shpallje ai e ka bërë përmes rrjetit social Facebook dhe kjo ndoshta mund të jetë hera e parë që te shqiptarët dhe më gjerë të shiten pasuri të patundshme me krypto valuta.

Jetojmë në një kohë kur monedhat virtuale janë bërë temë diskutimi nga mediet, shoqëria civile dhe investitorët. Këto monedha virtuale po bëhen gjithmonë e më të popullarizuara edhe te shqiptarët, sidomos te shqiptarët e Kosovës ku kanë filluar të përdoren dhe të tregtohen në masë të madhe nga shumë njerëz.

Edhe pse në Prishtinë dhe Tiranë, institucionet qeveritare si Doganat e Kosovës, apo Banka e Shqipërisë dalin me deklarata edukative që të mos përdoren këta monedha, duke bërë apele të ndryshme për maturi në përdorimin e monedhave kriptografike, qytetarët duket se nuk i kanë përfillur shumë këto apele.

Monedhat virtuale si Bitcoin dhe Ethereum janë monedhat më të njohura dhe të përhapura dhe sot në internet me ata monedha mund të blini gjëra të ndryshme online.