SHPËRNDAJE

kufiri-kosove-shqiperi

Në vendkalimet kufitare Shqipëri-Kosovë, në tre muajt e verës 2016, qershor, korrik e gusht, kishte më shumë se 3 milionë e 90 mijë (gjithsej 3.092.099) hyrje-dalje të personave, 9,9 për qind më shumë krahasuar me verën 2015, kur kishte 2.813.550 hyrje-dalje
Gjatë gushtit 2016 kishte më shumë se 1 milion e 400 mijë (gjithsej 1.413.171) hyrje-dalje të personave, 10 për qind më shumë në krahasim me gushtin 2015, kur kishte 1.273.843 hyrje-dalje.

Statistikat i bëri të ditura të premten zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
Po sipas statistikave të Policisë së Kosovës, në vendkalimet kufitare Shqipëri-Kosovë korriku i vitit 2016 shënoi më shumë se 1 milion e 164 mijë (gjithsej 1.164.105) hyrje-dalje të personave, 12 për qind më shumë në krahasim me korrikun 2015, kur kishte 1.033.148 hyrje-dalje. Ndërsa qershori i vitit 2016 shënoi më shumë se gjysmë milioni (gjithsej 507.886) hyrje-dalje të personave, 1,52 për qind më shumë në krahasim me qershorin 2015, kur kishte 500.288 hyrje-dalje.

Në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri, gjatë gjithë vitit 2015 kishte rritje të fluksit të njerëzve në hyrje-dalje gjithësej 26,75 për qind në krahasim me vitin 2014. Ishin gjithsej 5.412.238 hyrje-dalje të personave.

Kurse gjatë gjithë vitit 2014 kishte rritje të fluksit të njerëzve për 19,312 për qind krahasuar me 2013-n.


Në këtë verë të 2016-s, më 7 korrik në kufirin Shqipëri-Kosovë u nënshkruan procedurat e përbashkëta të kontrollit kufitar në pikëkalimin kryesor nëpër autostradë Morinë-Vërmicë, në territoret respektive. Nënshkrimi u bë në anën kosovare, Vërmicë, nga dy drejtorët e përgjithshëm të policive, i Shqipërisë Haki Çako dhe i Kosovës, Shpend Maxhuni.

M 29 qershor, qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për pikë të përbashkët të kontrollit kufitar me Republikën e Shqipërisë, në sezonin veror. Më 1 korrik, ka nisur organizimi i shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor në Republikën e Shqipërisë gjatë sezonit veror, deri më 31 gusht, sipas memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar nga drejtorët e përgjithshëm të policive të Shqipërisë e Kosovës.