SHPËRNDAJE

AD TEMPUS PACIS

kisha, vëlla, si s’ kisha. Kisha mallë të shëtisja nëpër fushën e Tërrnocit dhe  t’ i prehja sytë mbi grunishtat e qëndisura me lulegjake e kokoçele. Unë, më shumë se çdokush tjetër, jam fshatar dhe shpesh herë më merr malli ta gërvish atë shtresë të përcëlluar të vendlindjes dhe ta nuhas mrekullinë që na ka mbajtur gjallë me shekuj… Kisha mallë t’ i qepesha udhës së Norçës dhe të ngjitesha deri në majë të Rrethit, ku dikur – me laps në dorë – përpiqesha  ta shkruaj në zemër fjalën m-ë-m-ë-dh-é… Kisha mallë të vete edhe në Prishtinë, ku tani po shkretojnë tiranokratët e rinj, kjo klasë e re kombëtare, e dalë nga vathi i zotit Daçiq dhe zonjës Ashton… Pse jo? Kisha dëshirë ta shihja edhe kryeveprën më të re të popullit shqiptar, Autostradën e Kombit, dhe ta pija një kafe në Kuks, por midis dëshirave të mia dhe varfërisë së popullit shqiptar pushonte një zhgënjim i madh si Oqeani Pacifik… Aq i njelmët dhe aq i thellë ishte ai, sa s’ do ta duronte as Jezu Krishti, që ka qenë i paisur me tolerancë hyjnore. 

Si mjerë ne për liderët që kemi! Të gjithë filozofë, doktorë të shkencave e strategë të shquar për blerë kolltuqe, prona të mëdha e makina të shtrenjta. Kushdo që thotë se ne, shqiptarët, jemi të ndershëm, liridashës e krenarë, tallet me ne. Të ishim aq të ndershëm e aq liridashës si po mentojnë bota, kurrë s’ do të lejonim të na qeveriste një kopé e Mesjetës Komuniste. Mjerisht, duke qenë se i Madhi Zot na ka gatuar të urtë e të trashë e të përgjumur, ne i bindemi secilit polic që na cakton Evropa dhe ditë për ditë pijmë kafe me dallkaukë, kriminelë, buzëviçër e hajdutë të votave. Pyes veten: Si mund të jemi të ndershëm e të rilindur kur gjatë një akcioni policor të vetëm policor, nga oborret tona dalin 40 000 kilogramë kanabis sativa? A munden të na përfaqsojnë dy qeveri shqiptare, të cilat, pa e vrarë kokën për egzodin e vitit 1999, ulen e zhvillojnë negociata me ata që prore donë të na djegin të gjallë? Mos paç ndonjë hall, ndonjë gjyq apo ndonjë të sëmurë, se byrokratët shqiptarë, që nga më të ultit e deri te ata më të lartit, hala pa trokitur në derën e tyre, fillojnë të hartojnë plane se si mund të të rjepin edhe ty, edhe kundërshtarin. Ja, pra: këto liri dhe të drejta qytetare i pashë në tokat e Shqiptarëvet. 

Këto mbresa po më shtrëngojnë të ndalem pak dhe, nëse s’ ma merr për të madhe, t’ ia hedh një sy asaj listës së gjatë që ma ke dërguar me postë elektronike. 

Jo, i dashur, s’ kam harruar që ti – si dhe çdo lexues tjetër i këtij rrëfimi – gëzoni të drejtën mbretërore të veni pikëpyetje prapa çdo fjalie që kam shkruar deri tani. Ti, duke reflektuar mbi vendimin tim që ta zëvendsonim Safet Selimin si kryetar, më kishe pyetur me shumë të drejtë nëse e kishim shqyrtuar atë çeshtje me pjekuri apo e gjetëm n’ ora dymbëdhjetë pa pesë minuta?!. A s’ ishte Ismet Xhela ai që na mbante peng dhe na mirte çdo lek që kishim nëpër xhepa? Ai, pa marrë parasysh rrethanat egzistuese, s’ e kishte fshehur se ishte jugofil dhe mbante lidhje me Legatën Jugosllave. Atëherë, çfarë shoqate shqiptare ishte ajo që,  pa i aktivizuar as tridhjetë shqiptarë të hajrit, shkoi dhe u anëtarësua në Lidhjen e Shoqatave Jugosllave? A ishte ajo shoqatë shqiptare apo jugosllave?

Pyetje me vend, i dashur. Mjerisht, ky ishte realiteti në të cilin përpiqeshim ta ngrejmë kokën dhe të zhvillojmë veprimtari kulturore. Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së atëhershme, pas dhunës që ishte ushtruar mbi supet e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, s’ ishin guximtarë si Shaban Palluzha e Xhemë Gostivari. Ata kishin krijuar bindje se s’ ishin më shumë se një pakicë kombëtare që ishte organikisht e lidhur me Jugosllavinë Titiste. Me përjashtim të Kosovë Rexhë dhe, aty këtu, ndonjë dallkakuku si Safet Selimi, Nevzat Shakiroski e Ismet Xhela, që kishin mbaruar ndonjë shkollë të mesme, të tjerët ishin grepacakë dhe jashtzakonisht të painteresuar për çeshtjen kombëtare. Dhe jo vetëm kaq. Ata ishin tmerrsisht të lumtur që e kishin gjetur Suedinë dhe s’ kishin nevojë të endeshin Beogradit me sharrë në krah. Kjo vlente edhe më shumë për zonjat e tyre, të cilat shpesh herë i shkallmonin në dru. Ata vetë bridhnin nëpër kafene e shtëpi publike, luanin bixhoz, ndiqnin të përdala dhe shkonin te shtëpia kur ua donte qejfi, por gratë duhej t’ i bënin punët e shtëpisë, të merreshin me hallet e familjes dhe të psonisnin ushqime ditë për ditë në dy supermarketet e Qendrës.   

Në këto rrethana, kur jo vetëm Legata Jugosllave, po dhe sherbëtorët e saj shqiptarë, bënin çmos të na pengonin në veprimtarinë tonë kulturore, ne kishim nevojë për një paqë jetëshkurtër. Një idil provizor, që do na kthente fuqinë. Duhej me çdo kusht të dilnim nga bodrumi i Safet Plluqkës dhe ta fusnim kokën në një strofull të re, që ishte më e lirë dhe më e përshtatshme për synimet tona. Kësisoji, pa marrë parasysh mbresat që na kishte lënë dikur, ne filluam ta gënjejmë veten se Ismet Xhela ishte drenicak dhe, mos hapur, të paktën fshehtaz, solidarizohej me përpjekjet tona modeste. Iluzion?  E ardhmja mund ta emërtojë naivitetin tonë si të dojë – hap të pamatur, përfytyrim të shfytyruar apo sybutësi fëminore – por ajo ishte zgjidhja e vetme që kishim në dispozicion. Si nxënës i Normales së Prishtinës kisha njohur shumë shokë nga Drenica e Llapi dhe shpresoja se Ismet Xhela, në bashkëpunim me Ismet Reçin, do ta tubonim një grup të rinjsh e të rejash shqiptare dhe do ta mbanin gjallë dashurinë për Kosovën Hallemadhe.      

Me këto synime, pasi e përgaditëm dokumentacionin e mbledhjes vjetore, u mblodhëm në zyrën e Seksionit “Shote Galica”, nënshkruam proçesverbalin e mbledhjes vjetore dhe dolëm në Sheshin e Madh për ta kremtuar fundin e një veprimtarie jo dhe aq të bujshme kulturo-artistike. Sheshi ishte plot me gra e burra të veshur bukur. Ishte kremte e meshës Valborg, një festë pagane kjo, dhe malmoitet e reja kishin dalë në qytet për ta nderuar Lartmadhërinë, Karl Gustavin e Gjashtmbëdhjetë, me rastin e ditëlindjes. Duke qenë se Ajet Tetova  s’ po gjente vend për ta parkuar makinën, edhe ne u shprishëm nëpër popull dhe ashtu, të rinj e të lumtur që kishte ardhur behari, qëndruam pranë një shatërvani që gjendet përballë Bashkisë. Lartmadhëria, Karl Gustavi i Gjashtëmbëdhjetë, s’ ishte shumë për fjalë të mëdha dhe ne, sapo u largua nga ballkoni, u turrëm drejt picerisë ”Pikolo Mundo” për të ngrënë darkë.

Duke qenë se dëshironim të flasim hapur, pa i bezdisur mysafirët tjerë, e lutëm kamarjerin të na shtronte përjashta dhe të na sillte dy shishe verë të kuqe. Ishte natë me qiell të shplarë dhe hëna, e madhe e e qeshur si perëndeshë, e kishte veshur sheshin me dritë.

Të gjithë, që nga  Avniu e deri te Ismet Reçi, ishin të kënaqur. Hanin me neps, pinin verë dhe bënin shaka në llogari të Ibrahim Plluqkës që s’ kishte dashur të na vinte në mbledhje sepse mungonte sheik Nevzat Shakirovski.

” More be, ku ka humbur ai njeri,” deshti të dinte Samiu. 

“ Ka vajtur për ngushllime te mbreti Kaled bin Fajsal dhe s’ është kthyer akoma,” tha Ajet Tetova, që i dinte të gjitha gjërat që ndodhnin në Rusengord.  

” Mbreti Fajsal – rahmet i pastë shpirti – ka kohë që prehet në varr, po Nevzati, si kryetar i Bashkësisë Myslimane, e ka për detyrë të kuvendojë me ata tjerët për punën e xhamisë,” shtoi Rasimi. ” Ai e kish marrë me vedi edhe njëfarë Lalamin, një pusht algjerian, që t’ i shërbejë si përkthyes.”

“ Eh, me kend s’ është përzjerë ai matrapaz,” tha Avniu.

Ai behar ishte i prapë. Se kush i kishte ngatërruar myslimanët midis vedi s’ dihet me siguri, por autori kryesor i fatkeqësive të tyre ishte çifuti Efraim Kazmir. Ai njeri dinak, pas një vargu konsultimesh e eksperimentesh, vendosi ta ndihmonte një rreshter irakian, një kriminel të gatshëm për masakra të reja, dhe e kishte nxitur kundër kurdëve të ngratë. Helmi dhe vdekja që provuan fëmijët e Allabxhës do të mbahen mend. Armiku kishte epërsi të madhe dhe Mustafa Barzani, që kishte pas vete njëqindmijë kryengritës trima, u detyrua të largohej nga beteja. 

Kjo ishte vetëm njëra nga tragjeditë e popujve myslimanë. Pak javë më vonë u vra mbreti Feisal, edhe ate, në pallatin e tij mbretëror. Ai i kishte ftuar familjarët e vet në një takim formal kur pëllciti zënka dhe princi Faisal bin Musaid, një nip i tij, papandehur e nxori revolen dhe e qëlloi mbretin me tre plumba. Të gjitha përpjekjet e mjekëve saudit për ta shpëtuar mbretin vajtën huq. Dy ditë pas varrimit të tij, në fronin e Mbretërisë u ul princi Kaled bin Abdul Aziz, i cili, njësoj si babai, veten e shpalli edhe mbret, edhe kryeministër, edhe ministër të punëve të jashtme… Kurse neve na vinte çudi që Nevzati donte të jetë edhe kryetar, edhe sekretar, edhe arkatar i Bashkësisë Islame. Ajo ishte krejt në frymën e fesë dhe askush s’ na kishte faj që ishim qafirë  e burra të paditur.

Vrasja e mbretit Feisal s’ kaloi pa u vënë re në Rusengord. Gjatë kohës që Nevzati endej nëpër emiratet, principatat e mbretëritë e shumta arabe, postin e tij e ruante Alixhani. Ai kokëdush i thatë, i armatosur me gjashtë gishta në njërën dorë dhe i veshur si pomakët bullgarë, ishte ndër të parët që ulej në “kafenenë e Shqiptarëve” dhe, sa herë që e pyeste dikush për kryetarin, ai e vente buzën në gaz dhe shtirej sikur s’ dinte gjë. Kjo ishte torturë e madhe, një torturë që s’ iu pëlqente vëllezërve resnjarë, sepse ata s’ kishin qejf të dëgjonin që shefi i tyre sorollatej nëpër Bahrein, Katar apo Abu Dabi kur të gjithë tjerët gjendeshin në Arabinë Saudite… Fundja, ishte Arabia Saudite ajo që kishte premtuar ta shndërronte ëndrrën e tyre në një qendër të madhe të fesë islame.

Si për inatin e Alixhanit, ne – arnautët – shulleheshim në një indiferencë të madhe ateiste. Nënt muaj me radhë e kishim pritur beharin dhe tani që jargavanët kishin nxjerrë lule mezi prisnim të dilnim në lëndinën e gjelbër të Shkollës Katarp dhe t’ ua mësonim fëmijve ca lojna të reja popullore. Edhe kjo është e vërtetë: ne i shmangeshim Qendrës Rusengord, edhe ate me qëllim, sepse s’ ishim të gatshëm të pinim birrë me ish prezidentin e Shoqatës Kulturo – artistike ”Vëllazërimi”.

Përndryshe, ai s’ e dha veten aspak. Safeti ishte tepër hakmarrës për ta nxjerrë në pah mllefin e tij personal. 

Tri ditët e para i kaloi duke pirë në restaurantin ”Golden Rose”, por ditën e katërt e hapi derën e atij klubit të shquar, e parfumosi me një ilaç të fortë dhe, pasi ia dorëzoi Bahri Zujferit, një resnjari shumë të ndershëm, e mori Naser Cfilakën, Saxhit Resneliun e Arsim Çajanin dhe doli në qytet për ta ndezur fushatën. Tani kishte ardhur koha t’ i thërriste miqët e vjetër në ndihmë dhe ta thellonte përçarjen midis shqiptarëve të Turqisë dhe atyre të Kosovës. Mjerisht, koha ishte e papërshtatshme. Qershori ishte afër dhe “punëtorët e inkuadruar në botën e jashtme” do t’ iknin në vendlindje. Askujt s’ i hante palla për lotët që derdhte ai turko-shqiptar dhe më së paku deçanasit, peçanasit e arrançanasit e Dukagjinit.

Në javën e funtme të majit u martua edhe Isufi. Ai turk i gjatë, me sy të kaltër e lëkurë të bardhë si bora, gjithnjë i urtë e i mbyllur në vete, ishte nga Vojvodina. Vinte shpesh në klubin e Safet Plluqkës dhe pjesën më të madhe të kohës e kalonte duke luajtur bilardo me vetveten. Duke qenë se s’ e dinim turqishten, ai, sa herë që donte diçka, na drejtohej në gjuhën serbishte. Ishte i urtë dhe shumë i sjellshëm. Madje ai ishte aq i urtë sa do të kalonin dhjetë dymbëdhjetë muaj deri sa të mësonim se jetonte në shtëpinë e Ajet Tetovës. Xhavidja, e shoqja e Ajetit, e kishte vëlla dhe, për ta mbajtur pranë, e kishte fejuar me një turqeleshë nga Tetova. Çuditërisht, edhe pse kishte ardhur në rrugë legale dhe paguante tatim si të gjithë suedezët tjerë, Drejtorati s’ i lëshonte vizë të fejuarës së tij, zonjushës Irfete Gorani.

Një ditë, deri sa ai po ngjishej me një lefterkë daneze, nga Stacioni Qendror i lajmërohet Irfetja dhe e njofton se kishte mbërritur. Dashur e padashur, Isufi brof në këmbë dhe, pasi e njofton Xhaviden për ardhjen e të fejuarës, niset për në Stacionin Qendror.      

Irfetja ishte një femër e pashme. Bjonde, e thatë, po – për moshën e saj – edhe llafazane. Një gramafon i ngarkuar me fjalë që ishin organikisht të lidhura me aktin seksual dhe të piperosura me sharje të gjuhës serbishte. Xhemali, që e kishte bërë ushtrinë në Doboj dhe ishte shoqëruar me lloj lloj bosnjakesh, konstatoi me të parën se Irfetja, para se të hynte në krevat me Isufin, kishte ushtruar goxha shumë me jaranat që kish patur në Kallkanda. Paçka se ajo ishte prore e re dhe Isufi kishte çka shijonte.

Ndërkohë, peripecitë e mia vazhdonin. Ndonëse moti ishte i mirë dhe prindërit shqiptarë duhej të angazhoheshin më shumë me bijtë e bijat e tyre, ata kurrë s’ gjenin kohë për një gjë të tillë. Që nga ora dhjetë e ditës, kur fëmijët iknin në shkollë, ata e zaptonin kafenenë “Mobilia”, kurse fëmijët e tyre, në mungesë të atrakcioneve më të mëdha, çdo pasdite na prisnin para shkollës të cilën e kishim huazuar nga drejtoresha Bauth. Ca prej tyre vizatonin, të tjerët vallëzonin, ndërsa çunat luanin futboll në lëndinën që tani ishte e butë se qilimat e trashë iranezë. Prania e tyre n’ atë lëndinë të veshur me lulëradhiqe, si dhe besnikëria me të cilën vinin ditë për ditë, më jepte të kuptoja se ata, edhe atëherë kur mundeshin te rrinin te shtëpia, preferonin të vinin te ne dhe të komunikoin në një gjuhë që iu dukej më e afërt dhe më e natyrshme.

Dhe deri sa Nazmia, Drita, Bujari, Behari, Rexhepi, Gjulistani, Linda, Fitorja e vogëlushet tjera ushtronin valle apo e vizatonin portretin e Shote Galicës e Isa Boletinit, ne të rriturit merreshim me shpërndarjen e ”Fletushkës Informative”, të cilën e kishim nxjerrë kohë më parë. Unë e Kosovë Rexha kishim blerë zarfe, kishim siguruar adresa dhe, me ndihmën e miqëve që kishim rreth e rrotull, përpiqeshim ta ngjallnin dëshirën për ta ruajtur identitetin tone kombëtar edhe te shqiptarët e Treleborgut, Landskrunës, Helsingborgut e Halmstatit.

”Fletushka” doli e mirë. Është e vërtetë se me përjashtim të Ulmar Kvikut, që na dërgoi një artikull të gjatë mbi gjuhën dhe kombin, asnjëri nga anëtarët e kryesisë s’ i shkruajti dy fjalë. Duhesha unë të shkruaj e të hedh firmë në emër të tyre. Por kjo është e vërteta e asaj kohe. Shumica e atyre që hynin e dilnin nga ”kulubi” i Safet Plluqkës dhe donin të bëhen kryetarë, nënkryetarë e bajraktarë të Shoqatës, s’ ishin në gjendje t’ i shkruanin as dy fjalë në gjuhën shqipe. Ka gjasa që edhe ishin, por pritonin t’ i zenin lapsat me dorë.

Ata që e pritën ”Fletushkën” me një sinqeritet të hapur ishin shqiptarët e Turqisë. As resnjarët, që njiheshin për frikacakë e të ndrojtur, nuk dëftuan frikë kur ua vumë në dorë. Çuditërisht, atë entuziazëm s’ e pamë te tarakaçët e Suha Rekës dhe te ”herojt” e vonuar të Uroshevcit. Si Gashët, ashtu dhe Beqajt, pinin kafe me Ajet Tetovën dhe kënaqeshin me ”angarinë” e tjerëve. Mos tjetër, ne i kishim shpëtuar nga hallakama. Me të ardhur fëmijët nga shkolla, motrat gra, për t’ i larguar nga shtëpia, ua venin nga një sandviç në dorë  dhe i nisnin “ te Podrumi”. Kështu e kishin emërtuar lokalin tetëdhomësh që gjendej karshi nëntëvjeçes Verner Rydén. Rrjedhimisht, deri sa ne i angazhonim qengjat e tyre me këngë e me valle, ato pinin kafe me njëra tjetrën dhe vëllezërit burra bënin gjumin e pasditës. Asnjërit s’ i binte ndër mend të vinte e të na ndihmonte në aktivitetin tonë. Në pacipësinë e tyre ballkanike, ata edhe sakrificat tona i mernin si detyrë që na kishte caktuar pushteti, edhe pse ne punonim në bazë vullnetare.  

Ishim në prak të verës. Po afrohej dita kur do ta përfundonim vitin shkollor. Unë, si rëndomt, edhe një herë duhej t’ i mblidhja plaçkat që kisha sjellë në apartamentin dydhomësh dhe t’ i vendosja  në bodrumin e Shkollës Kryddgord. Mjerisht, vargu i detyrave që kisha ishte pa fund dhe unë, për ta mbajtur të pastër ndërgjegjen individuale, tërë ditën rendja me fletore në dorë: zonja Berglund e donte një raport të plotë të mbledhjes vjetore… Jo në gjuhën shqipe, po në gjuhën suedishte… Ismet Xhela, që kishte qejf t’ i imponohej gruas së tij suedeze, kërkonte një ”vikendicë” për pushime verore… Zonjusha Irfete, që sapo kishte mbërritur Malme, donte të bënte kurorë me Isufin e saj… Mistër Eugeni, një pjesmarrës gjerman në Luftës Civile të Spanjës, donte të vinte në kontakt me Mehmet Shehun dhe Petro Markon… Kishte shkruar një letër të gjatë dhe donte t’ ia përktheja në gjuhën shqipe… Etjera, etjera… Më së shumti më molisnin mbledhjet e arsimtarëve… Mbledhje në Apelgord, Kryddgord, Lorensborg, Augustenborg, Fusie, Zyrën e emigracionit, shoqatat e emigrantëve të Malmes, Shoqatën e  arsimtarëve të huaj dhe në Seksionin e Rinisë, të cilin e kisha themeluar vetë… Procesverbalet ma hanin shpirtin, por ishin të domosdoshëm… Për të qenë e keqja më e madhe, atëbotë po zhvillohej një debat i madh rreth statusit të gjuhës serbo-kroate. Ç’ ishte ajo gjuhë? Serbishte, kroatishte apo serbo-kroatishte sëbashku? Serbët thonin që ishte serbishte, kroatët thonin të kundërtën… Shkurt,  pa ndihmën e asaj bicikletës që ma pat huazuar zoti Borg, ish portjeri i skuadrës MFF, unë s’ do t’ ua dilja në krye detyrave që kisha. Brenda kohës kisha filluar ta ushtroja me fëmijët poemën ”Përse mentohen këto male”, të cilën e kishte përkthyer miku Ulmar Kvik.

Pak para se të mbaronte viti shkollor vdiq një djalë i vogël. Ai kishte lindur pa këmbë e pa duar dhe i përngjante një topi të paisur me dy këmbë e duar të vogla. Sikur t’ ishte suedez, ai fatkeq do t’ ishte gjallë edhe sot, por Resul Dallanguzi, që s’ i donte qorrat e sakatat, në bashkëpunim me gruan e tij, kishte marrë një vendim tjetër: ta vdisnin me çdo kusht atë qenie që mund t’ ua kujtonte myslimanëve se Dallanguzët ishin mëkatarë të vjetër. Kjo s’ ishte e mirë as për te, as për Fatimen, as për Nevzatin që po endej nëpër botë për ta ndërtuar një xhami të madhe. Rrjedhimisht, duke i ndjekur këshillat e të shoqit, Fatimja s’ i jepte çunit as bukë, as ujë, deri sa e vdiq me qykë të zorit, por pa ”i fëlliqur” duart e saj.

Nuk është, pra, gabim të them se ai që e inauguroi Varrezën e Myslimanëve të Malmes ishte një Dallanguz të cilin e mbytën vetë Dallanguzët. Ishte një pasdite e ndritshme qershori kur kortezhi i myslimanëve, pasi e fali xhumanë në tredhomëshin që shërbente si xhami, doli përjashta dhe – me Ymer Lutfiun në ballë – u nis drejt asaj lëndinës që dikur kish qenë log i gjembaçëve dhe manaferrave. Bënte ngrohtë dhe natyra dremiste nga zukama e insekteve dhe kandrrave. Pasi kaloi edhe Varrezën e Çifutëve, turma u shprish rreth e përqark një grope të porsahapur, këndoi ca dua në gjuhën arabishte dhe, pasi e mbuloi atë qenie të paemër, iku drejt Qendrës, thua se asgjë e e jashtzakonshme s’ kishte ndodhur atë ditë.

Tani punëtorët e inkuadruar në botën e jashtme ranë në heshtje. Pas mbështetjes që i kisha dhënë Ismet Xhelës në mbledhjen vjetore, ai filloi të më ftonte edhe në Dala Plan për të pirë çaj. 

Më 10 qershor, kur do ta përfundonim vitin shkollor, unë e mora në telefon dhe e ftova të shiheshim në zyrën e Seksionit të Rinisë. Këtë herë ai ishte i saktë dhe unë, në praninë e Hajdar Reçit e Sami Dashit, ia dorëzova çelësat e Zyrës, procesverbalet, instrumentet dhe çelësat e rafteve ku i ruanim veshjet kombëtare.  

” Sot mbaroi viti shkollor,” i thash. ” Për mua dhe shqiptarët tjerë fillojnë pushimet verore. Unë do t’ iki në Suedinë Qendrore, kurse këta miqët në Jugosllavi e Turqi. Ti, po pate mundësi, merre gruan dhe hajde në Uppsalë, se do të kënaqemi sëbashku. Do të flasim edhe për Kosovën, edhe për të ardhmen e kësaj shoqate.”

”Vallahi, ka mundësi,” tha ai. ” Unë do t’ ia përcjell ftesën time shoqe dhe do të mendohemi pak. Sot, ama, kam të ngutur. A dalim dhe e pijmë një kafe?”

” Dalim,” thanë të gjithë.

Epa ishte plot me shqiptarë. Të gjithë po bëheshin gati për rrugë dhe përpiqeshin të mësonin cila ishte rruga më e rehatshme. Disa, që ishin më të vjetër, e preferonin “autobanin” gjerman; të tjerët ishin të mendimit se Gjermania Lindore ishte më e qetë e më e sigurt. Ajri ishte i rëndë nga tymi i duhanit. Të gjithë flisnin njëkohësisht, por ai që shquante më së shumti ishte Safet Selimi, ish kryetari i Shoqatës Kulturo – artistike “Vëllazërimi”. Ai, sikur s’ kishte ndodhur gjë midis nesh, me të parë që po hynim në kafené, brofi në këmbë, na përqafoi dhe, pasi na pyeti për shëndetin, iku të na sjellë kafe.  

“ Kam qenë në hall,” na tha pastaj.

“ Po pse ashtu?” e pyetëm ne.

” Eh, sikur ta dija, do ta thoshja,” tha ai. ” Sidoqoftë, ai që deshti të më hidhte në grackë ishte njeri i rëndësishëm. Atë ditë që mbaroi mbledhja, më mori në telefon dhe donte të dinte nëse ishim zënë me njëri tjetrin?”

” Po ti ç’ i the?” e pickoi Hajdari.

” I thash që s’ kemi gjë midis veti,” deklaroi Safeti. “ Po shko e mbushja mendjen atij.”

” Kryesore është se ia ke thënë të vërtetën,” tha Ismeti, që po matej të çohej. Mjerisht, mu n’ atë çast erdhi dhe Dali Gashi.

Daliu dukej i paqejf. Ai ishte mërdhezur në fytyrë dhe po matej të ulej a të mos ulej. S’ ishte duhanxhi i madh, por tani e nxori kutinë e cigareve dhe na ftoi të gjithëve.

” Ulu, bre burrë,” i tha Hajdari. ”Ulu e kallxona ç’ ka ndodhur, se kështu po duket që do na vrash. Ça dreqin ke?”

Ai tjetri e zuri kokën me dorë. 

” O, po më luan mendja e kresë, o Hajdar,” tha. ”Kjo është e gjashta herë që Policia po më merr në pyetje. Po pse, do thoni ju. Sepse im bir po vjedh, o vëlla. Po vjedh qeni… Ka hyrë në bandën e Skender Balajt e Gjuladin Islamit dhe po vjedh me të madhe. Po vjedh nëpër Malme, Lund, Treleborg, Ystad e Kopenhagë… Ça s’ po vjedh… Bluza, atlete, brekë, pantallone, këpuca… Gjithëçka po vjedh… Ata tjerët, Selimi e Xhela, s’ po mërzitën fare, se edhe vetë janë hajna, ama unë po luaj menç… Do ta çoj qenin në Kosovë. Le të kalbet n’ Arançan, se keq e ka lazdruar Suedia…”

” Ani kur do të nisesh?” e pyeti Hajdari.

” Sa më parë. Sa t’ i bëj ca marka gjermane, se këtu po m’i marrin lirë. Më mirë p’i marrin në qytet.”

” Ani a po na le në Triangel?” e pyeti Ismeti. “Unë do vete në Kopenhagë, kurse Dani në ndonjerin nga dyqanet e atjeshëm”.

” Po, more. Hajde çohuni,” tha Daliu.

Distanca midis Qendrës Rusengord dhe sheshit Triangel s’ është më e madhe se dhjetë minuta, por atëbotë rrugët ishin më të ngushta, vendparkerimet më të pakët dhe kujdestarët më të sjellshëm. Si rrjedhim, dolëm nga Epa menjëherë, por deri sa i fikëm cigaret dhe deri sa u ngjitëm në makinë dhe deri sa mbërritëm në Triangel – kaloi thuajse një orë. Unë s’ kisha të ngutur, por Ismetit duhej ta zinte anijen e shpejtë. 

“ Zbrit ku të duash, se do ta çoj deri në liman,” tha Daliu.

“ Ty bravo të qoftë,” i thash Daliut dhe kërceva te Pallati i Koncerteve.   

Atëbotë Triangli ishte një shesh i parëndësishëm. As kishte hotele, as kishte godina urbanistike, as kishte shitore të mëdha. Të gjithë ata që kishin punë n’ atë shesh, dashur e padashur përfundonin në kafeterinë “Tempo”. Ashtu do ndodhte edhe me mua. 

Si bleva valixhen që kërkoja, po matesha të ngjitem në katin e dytë dhe ta pija një kafe, kur – papandehur – ia behu një fytyrë e njohur. Ishte Nevzat Shakirovski, kryetari i Bashkësisë Islame dhe themeluesi i Varrezës së Myslimanëve. Ai po zdirgjej shkallëve teposhtë në shoqërinë e një bjondi të ri, pakëz të thyer në supe. Vetë ishte veshur a la franga, kurse tjetri në një kostum gri, ngjyrë gardeline, dhe një palë atlete të bardha. Duke qenë se ishte më i madh në moshe, vendosa ta përshëndes të parin. 

” Ku je zotrote, nga po sillesh,” e pyeta në ton miqësor, gjithnjë kurreshtar nga kishte qenë dhe cilin mbret e kishte takuar. Përjashta bënte ngrohtë dhe vendi ishte i përshtatshëm për cigare.“ Po ky djalë?” e pyeta.

” Ky është Kadriu,” tha ai. ”Ma ka sjellë njeri nga vëllezërit Gashi dhe deshta ta pimë një kafe. ”Përndryshe, ky ka studjuar në Kuvajt dhe po kërkon punë si imam, po unë s’ kam lekë për atë punë. Po matem ta punësoj si mësues të arabishtes. Si të jetë e shkruar, Qendra Islamike do të ndërtohet sëshpejti dhe fëmijët tanë kanë nevojë për gjuhën arabishte”.

Ky arsyetim ma dyndi vrerin. Jo se kisha ndonjë aversion kundër popullit arab, për të cilin Herodoti thotë se është popull i vjetër e besnik, por sepse ai popull kishte shumë djem që ishin më të aftë se sa Kadri Kashta. Unë dija me dhjetra marokanë, algjerianë e egjiptjanë që kishin studjuar në Kairo, Rabat e Beirut. 

“ Fëmijët tanë kanë nevojë për gjuhën shqipe, o Nevzat,” i thash. Nëse s’ e mësojnë gjuhën e tyre, ata “mollës” do t’i thonë “molë”, dardhës do t’ i thonë “darllë” dhe llampës do t’ i thonë “lampë”. Po s’ prish punë se do ta ndihmosh këtë djalë tonin, se qenka shqiptar dhe i Gjakut tonë. Deri sa të ketë fonde islamike, që s’ kanë synime tjera pos ti veshin gratë në perçe e hixhabe, bën mirë t’i ndihmosh shqiptarët që vijnë këtu. Po ku do të rrijë ky njeri?”

“ Ia kam lëshuar një dhomë xhamie,” tha Nevzati. “ Nuk është ndonjë dhomë e madhe, po ka dush edhe banjo. Deri sa të rrijë urtë e të ushqehet me ato që jep xhemati, s’ e nget njeri.”

“ Ani mirupafshim, pra, se më presin do punë tjera. Gëzohem që u njohëm,” i thash Kadriut dhe u ndamë.

Kështu ishte gatuar njerëzmi. Njërit i pëlqenin librat, tjetrit i pëlqenin gratë, të tretit i pëlqenin llapushat, të katërtit arti, kurse mua më pëlqente të merrem me popullin tim. Ca të tjerë, që ishin më të trashë se unë, merreshin me marka gjermane, me klube të natës apo me makina të shtrenjta. 

Edhe pse s’ fitonin marka me thasë, këta të fundit kishin nga një grua, kishin nga dy tre fëmijë, kishin ndonjë shok, dhe shkonin e ktheheshin në Kosovë pa asnjë ferrë në këmbë. Ata s’ kishin dhembje të ndërgjegjes si unë dhe rrallë se e pyesnin veten qysh kishte rënë atdheu ynë në putrat e Jugosllavisë Titiste. Ata, nëse e donin Kosovën pak, Suedinë s’ e donin aspak, se kjo ishte vreshtë e huaj. Mu për këtë arsye ata gënjenin, mashtronin dhe vidhnin pa e vrarë kokën për veprimet e tyre. E rëndësishme ishte të flasin shqip, të qeshin shqip dhe të ken ndonjë pasaportë që ishte e kuqe… Unë, n’ anën tjetër, isha i zhveshur nga ”privilegjet” e tyre dhe duhej ta mbushja të përditshmen me takime, mbledhje e rrangulla tjera.  

Take it, or leave it, thotë anglezi. 

Unë mundesha ta kritikoja Nevzatin tëre ditën e lume dhe të mos ndryshoja asgjë. Ai semester kishte mbaruar, por gjashtë javë më vonë do të fillonte një semester i ri. Ashtu si do të ngjitesha atë natë në tren, gjashtë javë më vonë – pasi të pushoja në brigjet e liqenit Melaren – përsëri do të kthehesha në Malme dhe do ta gjeja Qendrën aty ku e kisha lënë… Ibrahim Plluqka, dikur pijanec e tani haxhi, do jetë në kafenénë Epa. Ai do ta ndiej veten të rëndësishëm, shumë të rëndësishëm, dhe sa herë që të na shajë nënën neve, shqiptarëve, do t’ i kërkojë ndjesë Muhametit, Alekum Selam. S’ do të ketë mungesë as në tregun e rrobave të vjedhura. Nëse Daliu do ta lë të birin në Kosovë, Rusengordi s’ do të vuaj për hajna, se Skenderi e Gjuladini do të jenë këtu. Ata do na furnizojnë me bluza, brekë, atlete e kostume të vjedhur nëpër Limhamn… Mulla Kadriu, me mbështetjen e sheik Nevzatit, do t’ ua mësojë fëmijve alfabetin arab, ndërsa Safeti – njësoj si vitin e kaluar – do të vazhdojë ditën si servitor dhe natën si pijanec. S’ i dihej kësaj bote të kalbur nga brenda…Do vinte një ditë kur unë do ta dëgjoja një mit të ri të epokës bashkohore. Sipas tij, Nevzati mund të dalë edhe hero i çeshtjes kombëtare… Mbase profet i Kosovës moderne… 

Jo, nëse kisha dy kokrra mend, unë duhej t’ iu kthehesha gjurmimeve shkencore dhe të mos merresha me ca abdallë që e gënjenin veten se janë pasardhës të Hanibalit të Parë dhe e hanë barutin me grusht… 

 

Shkruan: Ramadan Rexhepi 

( vazhdon)