SHPËRNDAJE

Dhjetë kilogramë droge të tipit marihuanë i ka gjetur policia austriake vikendin që shkoi në makinën e një shqiptari 27 vjeçar në Salzburg. Kjo sasi droge, në treg do të kushtonte rreth 100 mijë euro, vlerësojnë autoritetet e sigurisë në Austri.
Policëve u kishte rënë në sy makina gjatë një kontrollimi rutinor. Duke kontrolluar bagazhin e saj, ata kishin gjetur dhjetë paketa të mbështjella e shirit ngjitës, në të cilat ishte fshehur marihuana.

Personi i arrestuar me këtë rast nuk ka dashur të flasë gjatë marrjes në pyetje, shkruan krone.at. Ai nuk ka ofruar të dhëna as për prejardhjen e drogës dhe as për vendin për ku ajo ishte e destinuar.

Por, sipas hetimeve të bëra nga policia, rezulton se droga kishte ardhur të premten nga Italia në Austri.

I arrestuari menjëherë është dërguar në burg./albinfo/