SHPËRNDAJE

Para një jave, në hapsirat e shoqatvs serbo-malazeze “Moraça-Rozafa” në Shkodër ka filluar mësimi i nxënësve në gjuhën serbe.

Siç mësohet, këta nxënës do të mësojnë me planprogramin që mësohet nëpër shkollat e Serbisë edhe atë në shkollat fillore, nga klasa e parë deri tek klasa e katërt, transmeton presheva.com.

Janë lajmëruar 60 nxënës që do të mësojnë gjuhën serbe. Shkolla është rihapur me 20 shkurt të vitit 2008 dhe kjo datë në Shqipëri është shenuar si “Dita e gjuhës serbe”, dhe që nga ajo kohë, deri sot rreth 600 nxënës kanë mësuar qirilicën dhe gjuhën serbe.

“Të gjithë jemi të lumtur që shkolla ka vijuar përësi mësimin. E dimë se çfarë kanë përjetuar serbët në kohën e Zogut e pastaj të Enver Hoxhës. Gjuha serbe ka qenë një kohë të gjatë e ndaluar si dhe shkollat tona. Ajo që ne sot kemi ka rëndësi shumë të madhe për popullin tonë në veri të Shqipërisë. Vitet e kaluara gjuhën serbe nuk e kanë mësuar vetëm fëmijët, por edhe të rriturit” ka thënë njeriu i parë i shoqatës Pavlo Jakoja Brajoviq.

Ai ka thënë se nxënësit janë të ndarë në pesë grupe dhe se mësimi do të mbahet në ditën e premte pasdite, dhe ditën e shtunë.

“Ora zgjat 60 minuta dhe profesori Svetozar Qirakoviq vjen nga Nikshiqi. Atij i ndihmojnë katër asistent që janë aktivistë të shoqatës dhe njohin gjuhën serbe” ka sqaruar Brajoviq, transmeton presheva.com.