SHPËRNDAJE

SuissSuperLeague
Nesër në të ashtuquajturën Super Ligë të futbollit zviceran nis pjesa e dytë e këtij kampionati.
FC Basel 1893 kryesues i tabelës së klasifikimit është gati i sigurt që edhe kësaj radhe do të jetë
më i miri i vendit.
Kjo skuadër ka krijuar epërsi me dhjetë pikë më shumë ndaj skuadrës përcjellëse FC Grasshopper të Cyrihut.
Luftë e madhe për t’u plasuar në vendin e dytë në tabelë do të zhvillohet ndërmjet Grasshoperit, Young Bous-it dhe Luzernit.
Mirëpo që në start të këtij gjysmë kampionati do të definohet shumëçka. Në takimin e nesërm të cilësuar edhe si derbi i javës takohen FC Yong Bouys i Bernit dhe FC Grashopper i Cyrihit .
Këto dy skuadra të ndjekura nga FC Luzern ,aktualisht janë më me shumë gjasa për të përfunduar kampionatin e sivjetmë me pozicionim në vendin e dytë.
Nesër do të shihet me së miri se a do të jetë në gjendje FC Young Boys i Hadërgjonajt dhe Kolollit , t’i shkaktojë humbje FC Grasshopper të Tarashajt, Pnishit, Brahimajt dhe Kamberit .
Në rast fitoreje Young Boys do ta shkurtojë distancën në pikë me Grasshopper dhe do të bëhet pretendent serioz që në mbyllje të kampionatit të dalë si nënkampion në renditjen përfundimtare, dhe të marrë vizë për pjesëmarrje në Ligën evropiane.
Po ashtu FC Luzern i titullarëve Kryeziu e Hykaj tërë forcën e tij do ta përqendrojë në luftë për sigurimin e një vendi që çon në garat e Ligës evropiane.
FC. St.Gallen e sulmuesit Albert Bunjaku nëse mund FC Thunin ,ruan mesin e artë të tabelës,me çfarë me të drejtë mund të konsiderohet si ekip solide dhe e suksesshme.
I radhitur në vendin e gjashtë me njëzetedy pikë të tubuara FC Sion nuk ka shumë hapësirë për komoditet,ngase ndaj grupit të ekipeve të rrezikuara ka krijuar distancë të vogël pikësh.
Ai për t’u ndjerë i qetë në vazhdim të garave të paktën me FC Zurich , duhet të luajë baras.
Në pozitë pothuajse të njëjtë gjendet edhe FC Thun,i cili nëse nuk perfeksionon lojën e tij dhe organizimin e përgjithshëm brenda ekipit fare lehtë mund të bije në vorbullën e të rrezikuarve. Pozita aktuale në renditjen tabelore lë me kuptua se FC Vaduz është në gjendje tepër të vështirë . Me vetëm pesëmbëdhjetë pikë të arkëtuara skuadra nga Principata e Lishtenshtajnit shpëtimin e rastësishëm mund ta llogarisë në dështimet e FC Zurich e FC Lugano.
Testimi i vlerave të ekipeve me rrezik të vazhdueshëm për largim nga Liga elitare e Zvicrës do të bëhet gjatë dy ditëve të ardhshme .
Nesër në ora 17 e 45 minuta në stadiumin Cornaredo të Luganos do të zhvillohet takimi derbi ndërmjet skuadrave të rrezikuara FC Lugano dhe FC Vaduz.
Lugano e përtërirë me dy-tre futbollistë të rinj dhe me përkrahjen e publikut të saj ka shansin për fitore ndaj FC Vaduz.
Në tre vjetët e fundit FC Lugano ka luajtur përballë FC Vaduz, pesë herë dhe ka shënuar dy fitore, dy barazime, dhe ka pësuar një humbje.
Mbrojtësit e FC Lugano Frederik Veseli dhe Ezgjan Alioski do të tregohen vigjilent ndaj sulmuesve të FC Vaduz , veçmas ndaj Armando Sadikut, i cili i mllefosur nga huazimi i tij prej FC Zurich te FC Vaduz , nesër do ta prezantojë gjithë talentin e tij prej sulmuesi, duke i bërë me dije udhëheqësit e FC Zurich , se vendimi i tyre ka qenë i gabuar dhe i ngutshëm .
Ai akoma më i rrezikshëm do të jetë nëse në krahun tjetër të sulmit aktivizohet bashkëlojtari i tij Albion Avdijaj.
Ndërkaq FC Zurich në pozitë aspak të lakmueshme luan pasnesër si vendas kundër FC Sion.
Kjo skuadër e shkëputur nga vendi i fundit vetëm me dy pikë me tepër se FC Vaduz,edhe pse
e rrezikuar si asnjëherë më parë , kohëve të fundit ka ndërmarrë vendime të çuditshme, duke e shpallur të lirë mbrojtësin Berat Xhemshiti, i cli menjëherë ka gjetur angazhim te Atalanta e Italisë. Për habinë e të gjithëve është huazuar në FC Vaduz edhe Armando Sadiku si njëri nga sulmuesit më perspektiv të FC Zurich.
Sidoqoftë këto janë kalkulimet e aksionarëve të FC Zurich,dhe të trajnerit finlandez Sami Hyypia. Besojmë që këto vendime janë marrë duke parë edhe lëkundjet e ekipeve tjera e posaçërisht të FC Vaduz , i cili të shumtën e herëve është vizitore e “Raffeisen Super League” të Zvicrës.
Tash për tash në kontingjentin e lojtarëve me prejardhje shqiptare te FC Zurich figuron vetëm qendërmbrojtësi Burim Kukeli. S’e a do të jetë pjesë e njëmbëdhjetëshit, të kësaj skuadre, në ballafaqimin e FC Zurich me FC Sion ,është në dorën e trajnerit Hyypia.
Takimi i fqinjëve ndërmjet FC Basel 1893 dhe FC Luzern do të jetë tejet joshës.
Me gjithë rezistencën e madhe që do bëjë FC Luzern, prognozimet fitues e nxjerrin FC Baselin.
Në radhët e kësaj skuadre kampione e shumëfishtë e Zvicrës luajnë futbollistë mjaft të cilësor si Brel Embolo, Taulant Xhaka, Renato Steffen etj, të cilët mund të thyejnë mbrojtjen e çdo skuadre të Super Ligës zvicerane.
Arif Ejupi