SHPËRNDAJE

Paneli më i madh i reklamave në historinë e “Times Square” është ndezur për herë të parë në qendrën e Manhatanit, mesnatën mes së martës e të mërkurës.

Paneli, që është edhe më i madhi në botë, ka rreth 24 milionë drita LED, është i gjatë 100.5 metra dhe 24 metra i lartë, pothuajse sa një bllok pallatesh në Nju Jork.

Herri kaflan, menaxheri i përgjithshëm i kompanisë Clear Channel Outdoor, që ka prodhuar panelin, thotë se ai është më i bukuri në Nju Jork dhe për shkak se është edhe më i madhi në botë, çmimi që duhet të paguajnë kompanitë për t’i bërë publicitet është i kripur.

Sipas “New York Times” tarifa zyrtare të kompanisë është 2.5 milionë dollarë për një muaj publicitet, ndërkohë që vetë kompania pranon se ka firmosur një kontratë me Google për periudhën e festave të fundvitit, por pa bërë publike shifrën.

Edhe pse shifra duket vërtetë marramendëse, impakti që paneli LED ka te kalimtarët është i menjëherëshm. Njerëzit mbetën pa fjalë dhe ndaluan për minuta të tëra, teksa ai u ndez për herë të parë, për të shijuar spektaklin.

“Po ktheheshim në hotel pasi bënte shumë ftohtë dhe u shtangëm! Në Teksas nuk ka gjëra të tilla!”, thotë Samanta Salinas, një turiste nga San Antonio.

Paneli është vendosur në zemër të “Times Square” dhe gjendet në një kryqëzim të cilin çdo ditë e përshkojnë rreth 300 000 kalimtarë dhe 115 000 shoferë dhe pasagjerë në makina.

Paneli është varur mbi hotelin “Marriott Marquis” dhe është ndërtuar nga kompania “Vornado Reality Trust”, e cila nuk e ka bërë të ditur koston specifike të tij, por është kufizuar të deklarojë vetëm se ai është pjesë e një projekti 140 milionë dollarësh për zhvillimin dhe përmirësimin e hapësirës publicitare të hotelit.