SHPËRNDAJE

Yjet nuk turpërohen kur duan të tërheqin vëmendje, pos kur është fjala për problemet e tyre shëndetësore. Mirëpo, disa prej tyre kanë folur haptas në lidhje me sëmundjet e tyre reumatike.
Sëmundjet reumatike karakterizohen me inflamacion që përfshin strukturat lidhëse ose mbështetëse të trupit – më së shpeshti nyjat, por nganjëherë edhe tendinet, ligamentet, eshtrat dhe muskujt. Dhimbja dhe ënjtja janë simptomat kryesore të këtyre sëmundjeve që shoqërohen edhe më vështirësi në lëvizje (sidomos në mëngjes), pastaj me skuqje dhe nxehje në pjesën e afektuar, ndërsa lodhja, vështirësitë në frymëmarrje dhe infeksionet e ndryshme – janë simptoma dhe shenja shoqëruese.

Morgan Freeman
Ndoshta nuk e keni ditur se aktori fitues i çmimit Oscar vuan nga fibromialgia – një sëmundje kronike reumatike, nga e cila vuajnë rreth 10 milionë njerëz. Ylli hollivudian ka treguar se ishte diagnostikuar me këtë sëmundje në vitin 2008 pas një aksidenti të komunikacionit.
Lady Gaga, Fibromialgia

Para se ta publikonte dokumentarin “Gaga: Five Foot Two”, Lady Gaga kishte njoftuar përmes rrjeteve sociale se po vuante nga kjo sëmundje kronike. Në vitin 2010, kur ishte 24-vjeçare, këngëtarja kishte thënë se në familjen e saj ka pasur shumë të sëmurë me lupus. Tre vite më vonë, ajo u detyrua ta anulonte një pjesë të turneut për shkak të komplikimeve si pasojë e sëmundjeve reumatike.

Fibromialgia që njihet edhe si sindroma e fibromialgisë (FMS), është një sëmundje kronike që shkakton dhimbje në gjithë trupin. Krahas dhimbjes së shpërndarë, njerëzit me këtë gjendje kanë edhe ndjeshmëri të shtuar ndaj dhimbjes, lodhje ekstreme dhe ngurtësi muskulore.

Selena Gomez, Lupus

Në vitin 2015, Selena Gomez njoftoi se kishte bërë një pushim nga turneu i saj për t’iu nënshtruar kimioterapisë për trajtimin e lupusit, një sëmundje autoimune që prek mbi 1.5 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo ka pasur vazhdimisht probleme me sëmundjen, si pasojë e të cilës iu desh të bënte edhe transplantimin e veshkës. Njëherësh, këngëtarja ka vuajtur edhe nga ankthi dhe depresioni që lidhen me këtë sëmundje.
Toni Braxton, Lupus

Këngëtarja amerikane ka pasur disa probleme shëndetësore gjatë jetës së saj. Në vitin 2008, ajo ishte operuar për heqjen e një tumori në gji, ndërsa më pas, ishte shtrirë sërish në spital duke treguar se ishte diagnostikuar me anginë mikrovaskulare (sëmundje enëve të vogla të gjakut). Në nëntor të vitit 2010, Toni kishte pranuar se ishte diagnostikuar me lupus eritematoid sistemik.
Nick Cannon, Lupus

Mariah Carey dhe Nick Cannon
Nikoqiri i “America’s Got Talent” dhe ish-bashkëshorti i Mariah Carey nuk e ka pasur idenë për lupusin, para se të mësonte se vuan nga kjo sëmundje në vitin 2012. Kjo sëmundje është shumë e rrallë te meshkujt (vetëm një në dhjetë të sëmurë janë meshkuj), ndërsa Cannon është një prej tyre.

Lupusi eritematoid sistemik që njihet shkurt si lupus, është një sëmundje autoimune, në të cilën sistemi imunitar i organizmit i sulmon gabimisht indet e shëndetshme në shumë pjesë të trupit. Simptomat dallojnë te njerëzit e ndryshëm dhe mund të jenë nga të lehtë deri në të rëndë. Simptomat më të shpeshta janë dhimbja dhe ënjtja e nyjave, ethet, dhimbja e gjoksit, humbja e flokëve, ulcerat në gojë, ënjtja e nyjave limfatike, ndjenja e lodhjes dhe skuqja e lëkurës më së shpeshti në fytyrë. Zakonisht ka periudha të sëmundjes dhe periudha të lehtësimit, kur simptomat janë më të lehta.

Venus Williams, Sindroma Sjogren

Pas triumfit në raundin e parë të US Open në verën e vitit 2011, në moshë 31 vjeçare, Venus Williams u tërhoq nga loja e tenisit duke njoftuar se vuante nga sindroma Sjogren. Pasi u diagnostikua me këtë sëmundje, ajo u bë një aktiviste e madhe për rritjen e vetëdijesimit për këtë sëmundje autoimune.

Sindroma Sjogren është një sëmundje autoimune – që do të thotë se sistemi imunitar sulmon në mënyrë të gabuar trupin tuaj. Te kjo sindromë sulmohen gjëndrat që tajojnë lotin dhe pështymën. Në këtë mënyrë shkaktohet tharje e gojës dhe syve, ndërsa shoqërohet edhe me lodhje dhe dhimbje kronike.

Jared Leto, Podagra

Aktori dhe muzikanti amerikan në vitin 2007 shtoi 30 kilogramë në peshë për të luajtur rolin e Mark David Chapman (vrasësit të John Lennonit) në filmin “Chapter 27”, gjë që ia shkaktoi një formë të podagrës. Disa vite pasi i hoqi kilogramët e tepërt, Leto është zotuar se nuk do të shtojë kurrë në peshë për nevojat e ndonjë filmi, sepse nuk dëshiron ta vë shëndetin e tij në rrezik.
Podagra (Gout) është një formë e artritit që shkaktohet nga sasia e tepërt e acidit urik në qarkullimin e gjakut. Simptomat e kësaj sëmundjeje kanë të bëjnë me formimin e kristaleve të acidit urik në nyja dhe përgjigjen e organizmit ndaj tyre. Më së shpeshti podagra prek nyjën në bazën e gishtit të madh.

Avril Lavigne, Sëmundja Lyme

Avril Lavigne, e cila konsiderohej si princesha e zhanrit muzikor ‘pop-pank’, në vitin 2015 u zhduk nga syri i publikut për shkak të betejës me sëmundjen e Lymes. Këngëtarja tash është mirë, ndërsa e ka publikuar këngën “Head Above the Water” që përshkruan ditët kur mendonte se do të vdiste. Ajo gjithashtu ka themeluar një fondacion që mban emrin e saj dhe ndihmon njerëzit që kanë probleme si ajo.

Sëmundja Lyme, e cila njihet edhe si Borreliosa Lyme, është një sëmundje infektive e shkaktuar nga llojet e bakterit Borrelia (Borrelia burgdorferi, Borrelia afzelii e Borrelia garinii) që bartet me anë të rriqrave. Shenja më e shpeshtë e infeksionit është një zonë e gjerë e skuqur e lëkurës që quhet ‘erythema migrans’, e cila paraqitet përreth vendit të pickimit nga rriqrat. Sëmundja mund të shkaktojë një sërë problemesh fizike dhe mendorë nëse nuk mjekohet me kojë. Mjekohet kryesisht me antibiotikë, ndërsa shërimi mund të zgjasë disa muaj, por edhe vite.

Megan Park, artrit reumatik

Aktorja kanadeze – e njohur më së shumti për rolin e nxitëses së tifozëve, Grace Bowman, në “The Secret Life of the American Teenager” – ka folur haptas për sëmundjen e saj në vitin 2015. Në një iniciativë për rritjen e vetëdijesimit për këtë sëmundje, 32-vjeçarja kishte thënë se po jetonte me këtë sëmundje që nga fëmijëria.

Artriti reumatik është forma më e shpeshtë e artritit autoimun. Shkaktohet kur sistemi imunitar (sistemi mbrojtës i organizmit) nuk funksionon si duhet, por i sulmon indet e veta. Kjo sëmundje shkakton ënjtje dhe dhimbje të nyjave të duarve dhe këmbëve. Me ndihmën e terapisë pengohet dhimbja dhe ënjtja.

Dan Reynolds, Spondilit ankilozant

Frontemeni i grupit “Imagine Dragons”, Dan Reynolds, vuan nga spondiliti ankilozant, një formë e artritit në shpinë. 29-vjeçari ka treguar se i injekton vetes barna imunosupresivë çdo dy javë, në mënyrë që të jetë në gjendje të shkojë nëpër turne. Njëherësh, ai ka thënë se kjo sëmundje është edhe arsyeja pse iu është përkushtuar shumë ushtrimeve fizike.

Spondiliti ankilozant është një formë e artritit që prek shtyllën kurrizore. Simptomat e kësaj sëmundjeje përfshijnë dhimbjen dhe shtangien nga qafa e deri në pjesën e poshtme të shpinës. Kockat e shpinës (vertebrat) bashkohen duke formuar një shtyllë kurrizore rigjide (të ngurtë). Këto ndryshime mund të jenë të lehta ose të rënda dhe mund të çojnë deri te deformimi i shtyllës kurrizore.