SHPËRNDAJE

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, në kuadër të takimeve të ndryshme me partitë parlamentare ka takuar të enjten edhe dy deputetët shqiptarë, Riza Halimin dhe Shaip Kamberin, me të cilët ka biseduar për formimin e qeverisë.

Nikoliç ka thënë se është e rëndësishme që të gjitha partitë ta mbështesin qeverinë e ardhshme për reformat. Ndërkaq, pas takimit Riza Halimi tha se shqiptarët nuk kanë pretendime për të qenë pjesë e qeverisë së ardhshme, por do të angazhohen në mënyrë që problemet e shqiptarëve të zgjidhen.

“Këto bisedime tregojnë se ne jemi aktivë dhe do të mbështesim një qeveri e cila do të siguronte qasje serioze për zgjidhjen e problemeve në Luginën e Preshevës. Shpresojmë që do flasim me kryeministrin e ardhshëm për plane konkrete”, deklaroi Halimi.

Qeveria e Serbisë pritet të formohet deri në fund të muajit dhe Partia Progresiste Serbe, pavarësisht se ka fituar shumicën ka ftuar edhe partnerë të tjerë.