SHPËRNDAJE

Muharrem Nitaj, deputet i AAK-së ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës janë deklaruan në vitin 2008 me votë kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës.

Ai në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se demarkimi i vijës kufitare me Serbinë është praktikisht e pamundur derisa Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

“Me këta kufij që i ka, Kosova është njohur nga 115 vende sovrane nga bashkësia ndërkombëtare”.

Nitaj ka thënë se është legjitime që presidenti Thaçi të ketë një ide dhe një koncept edhe për çështjen e dialogut me Serbinë.

“Presidenti e ka shpërfaqë idenë e tij, por për mua, jo si deputetë por si qytetarë i Kosovës, ideja e tij është bukur e paqartë”.

Ai ka thënë se ka një mori rezolutash që kanë ardhur në Kuvendin e Kosovës që të gjitha e kontestojnë idenë e Thaçit për kufirin me Serbinë.

“Mbi të gjitha, ka një projektrezolutë të partnerëve të koalicionit që kontestohet ideja legjitime e Thaçit”.

Duke folur për situatën e brendshme politike, Nitaj ka thënë se një qeveri me më pak partnerë, do të ishte më stabile.

“Një qeveri me më pak partnerë, do të kishte premisa të kishte më tepër stabilitet, por kemi pasur edhe rastin kur koalicioni LDK-PDK nuk funksionoi”.

Deputeti i koalicionit qeverisës ka thënë se shpreson që këtë vit të merret ndonjë lajm i mirë sa i përket liberalizimit të vizave.

“Nuk jam si disa politikan që në vitin 2016 kanë hapur shampanjë se gjoja na u hoqën vizat. Unë shpresoj se deri në Krishtlindje të marrim ndonjë lajm të mirë se vizat do të na hiqen qoftë këtë vit apo në fillim të vitit të ardhshëm. Kosova i ka plotësuar kushtet për të lëvizur pa viza”, tha Muharrem Nitaj.