SHPËRNDAJE

Aktiviteti botues i Fondacionit “ALSAR” ka nisur të ketë në vitet e fundit një pozitë gjithnjë e më qendrore në veprimtarinë e tij të gjerë. Me shtimin e numrit të botimeve është rritur dhe cilësia e tyre. Gjithnjë në kërkim të së veçantës, siç ka bërë dhe më herët, “ALSAR” zgjodhi t’i jepte së fundi lexuesit dy vepra gati të harruara.

Madje njëri botim, “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave gojore shqiptare”, erdhi për herë të parë në shqip, botuar nën kujdesin e drejtpërdrejtë të fondacionit tonë. Siç e kam bërë të qartë në një shkrim të pak ditëve më parë, vepra ishte shkruar nga Pashko Vasa në frëngjisht dhe kishte mbetur ashtu, gjithnjë e më shumë në kopje të rralla. Arritëm që ta sigurojmë një kopje, e përkthyem, dhe me një botim për t’u patur zili e vumë në dorë të lexuesit shqiptar!

Po ashtu erdhëm me një tjetër vepër, shumë pretenduese, që për fat e kishte parë dritën e botimit në shqip falë përkthimit të Mehdi Frashërit. “ALSAR” zgjodhi të bëjë një botim anastatik, në ndjekje të një tradite të saponisur, me botime të ngjashme të botuara jo shumë kohë më parë, suksesi i të cilave ka qenë i padiskutueshëm.

“La vérité sur l’Albanie et les Albanais” u shkrua në vitin 1879 në frëngjisht dhe u përkthye në disa gjuhë, për t’u sjellë dhe në shqip në vitin 1935, me një përkthim nga dora e Mehdi Frashërit.

“E vërteta mbi Shqipninë dhe shqiptarët”, një studim historik nga Vassa Effendi, pati fatin të përkthehet nga Mehdi Frashëri, personalitet po ashtu si autori. Pesha që mbart libri prej penës së Vassa Effendiut është bërë më e rëndë prej shënimeve dhe komenteve të përkthyesit. Mehdi Frashëri flet me fjalë të mëdha për librin dhe për shkrimin në frëngjisht, por shpesh nuk është në një mendje me autorin për idetë e tij. I shpreh ato dhe jep sugjerimet e veta, duke e bërë shumë më të plotë këtë vepër.

Mehdi Frashëri bën komentet e tij në fund të çdo kapitulli, por nënvizon fillimisht në fund të kaptinës së parë se vepra ka një rëndësi krejt të posaçme nga pikëpamja kombëtare, ngase, me fjalët e tij, është libri i parë i redaktuar dhe i botuar në frëngjisht prej një shqiptari patriot dhe nacionalist si Vassa Pasha, në një kohë kur bota evropiane, dhe sidomos bota politike dhe diplomatike, nuk ka pasur një ide mbi origjinën dhe historinë, ashtu dhe mbi çështjen e nacionalizmës shqiptare që po shfaqej për herë të parë në kancelaritë e diplomacisë dhe në shtypin e Evropës.

Kjo vepër nxori në pah cilësitë më të mira të Vaso Pashës si publicist, historian, gjuhëtar, poet, si atdhetar e patriot. Një personalitet i këtyre përmasave, ai do të çmohej pa paragjykim nga administrata osmane edhe pse i përkiste një besimi tjetër, si një ofiqar të cilit iu besuan një varg funksionesh,ndër më të rëndësishmit midis të cilëve ishte ai i guvernatorit të Libanit.

Marrës i shumë medaljeve në periudhën e fundit të jetës, ai u la brezave si trashëgimi dhe këtë libër, të shkruar, siç thotë përkthyesi, me një frëngjishte të bukur, të cilën e shpirtëson dhe e ndriçon nxehtësia e ndjenjave patriotike të tij.

Këto ndjenja patriotike e bëjnë librin të nisë me të mirënjohurën, “O moj Shqypni”, vjershën e Vaso Pashë Shkodrës. Kthyer gati në himn, vargjet e kësaj poezie prekën zemrën e çdo shqiptari me kujtesën mbi të shkuarën dhe të tashmen e tokës së tyre: “Ti ke pas ken nji zonj e rand… Por tani Shqipni, pa më thu si je, posi lis’ i naltë i rezum për dhe…”

Siç e thamë, kjo vepër shoqërohet me komentet e përkthyesit, Mehdi Frashërit, që e bëjnë atë gati një bashkautor, aq të shtjelluara i ka ato. Pikëpamja e tij, herë-herë e kundërt me të autorit, është sidoqoftë shumë e vlefshme.

Vassa Effendiu rreket të gjurmojë origjinën e lashtë të popullit shqiptar, gjuhën e tij, ai konstrukton dhe dekonstrukton ide. Në kategorizimin e tij të popujve, flet për një rend të tretë, ku radhiten popujt origjina e të cilëve humbet në natën e kohërave përrallore dhe që vazhdojnë të jetojnë me një jetë të posaçme, megjithëse kanë kaluar një radhë të gjatë vështirësish, dhe se historia e tyre, për shkak të mungesës së qytetërimit të përparuar ose rrethanash që i ikin kuptimit tonë, mbetet një problem zgjidhja e së cilës pritet akoma.

Nuk ka dyshim, thotë ai, se populli shqiptar, hyn në kategorinë e tretë. “Prej ku vjen? Kush është? Si jeton? Çështje shumë të komplikuara, të cilave akoma nuk u është dhënë një përgjigje e kënaqshme.”

Arsyetimi nis nga thellë në kohë në libër, nga shekulli XIX para Krishtit, për të vijuar shpeshherë ndërlikueshëm, në kërkim të gjetjes të së vërtetës.

“Emathia ishte emer’ i pari i Maqedhonis, dhe është kjo Emathi që duhet të konsiderohet si bërthama dhe si djep’ i asaj Mbretërie e cila ma vonë u bë kaq e fuqishme dhe kaq në zë. Pra, në origjinën, Emathia nuk mund t’ishte tjetër veç se aji vend që ndodhet në malet e Shqipris, ndërmjet Dibrës, Krujës dhe Mirditës, që sot akoma quhet Mat dhe Matia,” shkruan mes të tjerash ai.

Lexojmë dhe një koment të përkthyesit, për të dhënë një ide të trajtesës, që megjithatë mund të kuptohet mirë veç nëse përqendrohesh mirë në të: “Vasa Pasha… përpiqet të tregojë se maqedhonasit e vjetër si dhe shqiptarët, ilirinj dhe epirotë, janë pellazgët e vjetër dhe që s’janë grekër, edhe që gjuha e tyre nuk është gjësendi tjetër, veç se pellazgishtia…”

Sipas Vaso Pashës, gjuha, zakonet, besimet e zemrës, kanë mbetur pellazgjike nga një kënd i Shqipërisë në tjetrin, pa u ndryshuar prej qytetërimit, pa u transformuar me kalimin e shekujve dhe me vështirësitë njerëzore.

Teksa bën përshkrime të shqiptarëve, ai trajton dhe ndarjen në gegëri dhe toskëri, në Shqipëri të lartme dhe të poshtme. E trajton mirë këtë çështje, për të dhënë më pas dhe shifra popullsie sipas ndarjes. Për t’u ndalur te analizimi i strukturës familjare dhe fisnore, pasi thotë se jeta në Shqipëri është krejt primitive dhe patriarkale. Kaptina e dhjetë përshkruan hollësi të rregullimit të jetës shoqërore, që do ia sugjeroja lexuesit t’i lexonte me kujdes.

Sepse, për shembull, ja ç’thotë ai për vjedhjen, “Ai që vjedh duhet t’i kthejë të zotit dyfishin e sendit të vjedhur, dhe pas kësaj të paguajë një gjobë… Njeriu i vrarë për shkak vjedhjeje është i shnderuar; nuk mund të thuhet se ka vdekur si burrë.”

Në kaptinën e dymbëdhjetë ndeshim paragrafë shumë domethënës të cilëve nuk mund t’u ikim pa i cituar fjalë për fjalë. I takon më tej lexuesit të gjykojë. Vaso Pasha thotë kështu për shqiptarët: “Përkundrazi, (ata) janë të bindur, dhe eksperienca e pesë shekujve e ka provuar, se bashkimi i tyre i ngushtë me Perandorinë Otomane formon shansin e vetëm të shpëtimit; është ky bashkim që u siguron një jetë të përshtatshme me dëshirat dhe aspiratat e tyre, se pse nuk cenon as mendimet kombëtare, as gjuhën as dhe traditat e tyre; nuk transformon karakterin e popullit dhe nuk kërcënon ekzistencën e tij nga pikëpamja e racës dhe kombësisë.”

Siç thotë për muslimanët, edhe për të krishterët: “Muslimanët e Shqipërisë janë shqiptarë si dhe të krishterët; flasin po atë gjuhë, kanë po ato zakone, vazhdojnë po ato doke dhe po ato tradita. Në mes të atyre dhe të krishterëve kurrë s’ka pasur smirë të rrënjosur, as dhe armiqësira shekullore. Ndryshimi i fesë kurrë s’ka qenë një shkak për t’i shtytur në një përçarje sistematike; muslimanët e të krishterët, me pak përjashtime, gjithmonë kanë jetuar në një shkallë barazie, që gëzojnë po ato të drejta dhe përmbushin ato detyra.”

Zgjatja dhe citimet mbase mund të duken të tepruara në këtë paraqitje, por shërbejnë për të vënë në pah rëndësinë e kësaj vepre dhe të risjelljes së saj për lexuesin e ditëve tona. Përmes së vërtetës mbi Shqipninë dhe shqiptarët prej Vassa Effendiut mund të mësojë shumë, edhe për gjëra që mund t’i ketë ditur ndryshe.

Ky botim anastatik është me shumë vlerë. Jemi të bindur për këtë.