SHPËRNDAJE

Kryebashkiaku i Prishtinës, Shpend Ahmeti është përfshirë në listën vjetore të portalit informativ të Bashkimit Evropian “Politico”, si një ndër 28 njerëzit që po i japin formë Europës.

“Kosova mund të ketë bërë hapa të rëndësishëm drejt njohjes ndërkombëtare me pranimin në FIFA dhe me medaljen e artë olimpike në Rio. Por për Shpend Ahmetin, kryetar të Prishtinës, ndërtimi i shtetit fillon nga baza”, thuhet në përshkrimin e Politico.co për Shpend Ahmetin, përcjell “Panorama”. Kjo është një guidë e 28 njerëzve që pritet të shkëlqejnë në vitin 2017 e më tej.
Në sqarimin e Politico.eu, thuhet se këta janë 17 meshkujt dhe 11 femrat nga 28 vende të ndryshme, që kanë marrë vëmendjen e këtij mediumi.

Emri i tij u bë publik në një darkë gala që u mbajt mbrëmë në Bruksel, e cila bëri bashkë më shumë se 200 të ftuar të nivelit të lartë që përfaqësojnë sektorët publik dhe privat nga i gjithë kontinenti i vjetër. Politico 28, klasa e vitit 2017 përfshin në botimin e saj personalitete që kanë marrë vëmendje me punën e tyre gjatë këtij viti.

Kosova për herë të parë u bë pjesë e këtij publikimi me kryebashkiakun e Prishtinës, edhe pse në të përfshihen vetëm politikanë që vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian. Ahmeti në shkrim dedikuar atij quhet edhe si ‘Ndërtues i kombit”. Vitin e kaluar, listën e ka kryesuar kryeministri i Hungarisë, Victor Orbán. Këtë vit, në vendin e parë gjendet prefekti i Londrës, Sadiq Khan. Teksa mes tyre janë edhe Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe Federica Mogherini.