SHPËRNDAJE

Truri

Njerëzit të cilët kanë probleme me gjumin kanë një volum më të vogël të pjesës së përparme të trurit në krahasim me ata që nuk vuajnë nga probleme të tilla, sipas një studimi të kryer në veteranët e luftës së Gjirit.
“Njerëzit po e injorojnë rëndësinë e gjumit. Aq shumë gjëra duken më të rëndësishme se disa orë shtesë të gjumit gjatë natës,” thotë udhëheqësja e studimit Linda L. Chao. “Rezultatet e studimit tregojnë se nuk duhet ta injorojmë rëndësinë e gjumit”, shtoi ajo.

Chao nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko ka bashkëpunuar me shkencëtarët nga departamenti për veteranë të luftës nga klinika universitare në San Francisko në një sondazh, rezultatet e të cilit u botuan në revistën “Sleep”.

Për nevojat e studimit, shkencëtarët kanë bërë skanime të trurit me rezonancë magnetike të 144 veteranëve, ndërsa cilësinë e gjumit e ekzaminuan me pyetësorë të detajuar. Ata vërtetuan se personat të cilët ankoheshin për cilësi të dobët të gjumit kishin më pak materie gri në lobin ballor të trurit, transmeton koha.net.

Studimet e mëparshme i lidhnin çrregullimet e gjumit me ndryshimet strukturore në tru, dhe veçanërisht me sasinë e materies gri të trurit në pjesën e përparme të trurit.

“Ekzistojnë edhe tregues të tjerë të cilët tregojnë se pagjumësia dhe sëmundjet e tjera të ndryshme psikiatrike manifestohen me një volum të reduktuar të trurit gjë që ka kuptim, sepse gjumi dhe disponimi janë funksionet e trurit”, thotë psikiatri John Winkelman nga Massachusetts General Hospital në Boston.

Pjesa e përparme e trurit është kyç për funksionimin e njeriut dhe aktiviteteve si planifikimi, organizimi, disponimi dhe ndjenjat.