SHPËRNDAJE

Disa zyrtarë policorë që janë arrestuar në aksionin e njohur si “Karaçeva” edhe më herët kanë qenë të dyshuar për përfshirje në veprime penale. Polici F.L., siç është informuar KOHA, ka qenë i arrestuar në vitin 2009, për kontrabandë. Aksioni asokohe ishte kryer nga Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës. Siç kanë thënë burimet, ky zyrtar policor ishte suspenduar, por më vonë ishte kthyer sërish në punë.

“Rasti ka qenë në procedurë disa vjet, por pa aktgjykim final pati arritur parashkrimin. Më pas nuk ka mundur të largohej nga puna”, ka thënë ky burim, shkruan KOHA Ditore.

Në mesin e të arrestuarve, kanë treguar burimet, ka edhe të tjerë policë që kanë qenë duke u hetuar për vepra penale.

KOHA i ka dërguar pyetje për këtë çështje Policisë së Kosovës. Ky institucion nuk ka pranuar të deklarohej me arsyetimin se “rasti është nën hetime dhe në këtë kohë nuk mund të zbulojnë asnjë detaj”, por e kanë udhëzuar gazetën që ta kontaktojë Inspektoratin Policor të Kosovës.

As ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Polici F.L., i cili ka pasur histori arrestimi dhe proces gjyqësor, është i vetmi që tash hetohet si drejtues lokali ku është organizuar bixhozi dhe lojërat e fatit. Të tjerët zyrtarë policorë hetohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare për shkak se, edhe pse kanë qenë në dijeni, nuk kanë ndërmarrë veprime për ndalimin e veprimtarisë kriminale, siç thotë prokuroria me pretendim për përfitime personale.

“Prej muajit gusht 2019 e më tutje, në lokalin e tij “Adria”, që ndodhet në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përkatësisht në territorin e fshatit Karaçevë Komuna e Kamenicës, i pandehuri F.L., në cilësi të zyrtarit policor, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo për personin tjetër dhe në kundërshtim me Ligjin për ndalimin e lojërave të fatit 06/L-155, në mënyrë të kundërligjshme dhe në vazhdimësi ka organizuar lojërat e fatit të cilat janë të ndaluara me ligj”, thuhet në dokumentin e hetuesisë.

Nga hetuesia i kanë thënë KOHËS se përveç kësaj ai dyshohet për kontrabandë.

“Këtij polici i janë konfiskuar rreth 50 lopë, të cilat dyshohet që ai i ka kontrabanduar nga Serbia”, ka thënë ky burim.