SHPËRNDAJE

LËVIZJA E STUDENTËVE SHQIPTARË NË MAQEDONI

-Këshilli organizues i protestave

NJOFTIM
PËR VAZHDIMIN E PROTESTAVE TË STUDENTËVE SHQIPTARË NË MAQEDONI, PAS FESTAVE TE FUNDVITIT!

Të nderuar studentë e studente, profesorë, prindër, qytetarë dhe dashamirë të arsimit në gjuhën shqipe në Maqedoni,
Kauza e jonë e përbashkët për ndryshimin e gjendjes së mjerueshme në arsimin e lartë dhe në përgjithësi të arsimit dhe shkollës shqipe në Maqedoni, na e ka imponuar këtë detyrë të rëndë, që në rrugë demokratike dhe paqësore t’i artikulojmë kërkesat tona të paraqituara përmes protestave të studentëve të organizuara ditë më parë në Tetovë.
Në lidhje me Kërkesat tona, tanimë janë prononcuar edhe faktorët të cilëve u janë drejtuar ato, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, drejtuesit e universiteteve, UT, UEJL dhe UNT, si dhe faktorë të tjerë, brenda dhe jashtë vendit.
Për ta ruajtur karakterin kombëtar të Lëvizjes sonë, frymën e Protestave dhe kërkesave tona të drejta, u kemi bërë thirrje të gjithë studentëve shqiptarë, pa dallim të përkatësisë dhe interesave partiake dhe çfarëdo interesash të tjera personale e grupore, që të bëhen pjesë aktive e kësaj Lëvizje dhe të Protestave të studentëve, deri në realizimin e plotë të Kërkesave tona.
Pavarësisht nga ambiciet e disa individëve, të cilët janë munduar dhe dëshirojnë nga anësh të imponohen si faktorë të rëndësishëm, kinse për përkrahje dhe ide të dobishme, që t’u japin kahe dhe frymë tjetër protestave tona; pa marrë parasysh opinionet e paqarta të disa individëve të cilët nuk i kanë të qarta kërkesat dhe synimet tona, si dhe deklaratat e drejtuesve të disa institucioneve të arsimit të lartë, për t’u dhënë protestave karakter tjetër, me tendenca që ta shpërqendrojnë vëmendjen e studentëve dhe të opinionit nga problemet kryesore të studentëve në problemet e brendshme të këtyre institucioneve, në betejat mes partive dhe grupeve të interesit për dominim brenda tyre, ne ua bëjmë me dije se:
Qëllimi i protestave tona ka karakter të përgjithshëm dhe Kërkesat tona u janë drejtuar, Qeverisë së Maqedonisë, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencë dhe të gjithë universiteteve me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoni, jo ndonjërit nga këto Universitete në mënyrë të veçantë, siç mund të jenë keqkuptuar dhe keqinterpretuar;
Kauza e jonë ka karakter kombëtar dhe jo partiak, protestat dhe kërkesat tona janë artikuluar për zgjidhjen e drejtë të problemeve të cilat një kohë të gjatë i preokupojnë studentët dhe e rëndojnë arsimin e lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni, dhe jo vetëm;
Lëvizja e studentëve shqiptarë në Maqedoni dhe Këshilli organizues i protestave, protestat e filluara më 18 dhjetor 2018, në Tetovë, të cilat zgjatën tri ditë, i vlerëson si tepër të sukseshme, për vetë faktin që ato arritën t’i organizojnë studentët dhe t’i sensibilizojnë drejtuesit e universiteteve, si dhe opinionin vendës e të jashtëm;
Çdo paraqitje në media nga individë dhe gupe studentësh, spontane apo të porositura, analistë dhe opinionistë të rastit, të cilët mund të trajtojnë probleme që lidhen me protestat tona, kërkesat dhe çfarëdo çështje tjetër lidhur me arsimin e lartë në gjuhën shipe në Maqedoni, duhet të kuptohen si qëndrime individuale dhe assesi si qëndrime të Lëvizjes së studentëve shqiptarë në Maqedoni apo të Këshillit organizues të protestave, të cilët kanë përfaqësuesit e tyre legjitim, tanimë të njohur edhe për institucionet, mediat dhe opinioni;
Duke marrë parasysh përgjigjet nga institucionet të cilava u janë drejtuar Kërkesat tona, deri në afatin e parashtruar prej 7 (shtatë) ditëve, Këshilli për organizimin e protestave të studentëve vlerëson se nuk janë përbushur asnjëra nga kërksat e parashtuara, prandaj, siç edhe kemi paralajmëruar më herët, PROTESTAT E STUDENTËVE SHQIPTARË do të vazhdojnë deri në përmbushjen e plotë të Kërkesave, ndërsa secili nga institucionet përkatëse presim që t’u përgjigjen me përgjegjësi, në bazë të kompetencave të tyre;
Për kohën, vendin dhe mënyrën e organizimit të Protestave të radhës, paraprakisht do t’i njoftojmë studentët e UT, UEJL, UNT dhe të institucioneve të tjera të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni, profesorët, prindërit, si dhe mediat e opinionin e gjerë.
E mirëpresim ndihmën dhe përkrahjen e sinqertë nga çdo student, profesor dhe prind, që ua duan të mirën studentëve dhe arsimit universitar në gjuhën shqipe në Maqedoni!

Na bashkangjiteni!

Shkup, 30 dhjetor 2018

Këshilli organizues i protestave të studentëve shqiptarë në Maqedoni