SHPËRNDAJE

Qeveria e Kosovës nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë, ashtu siç kanë paraparë zyrtarë të Serbisë, që në Kosovë të hapen 90 vendvotime. Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri tha se Serbia nuk mund të organizojë zgjedhje në Kosovë.

Ajo tha se Marrëveshja për Normalizim e Brukselit, i ka dhënë fund çdo ndërhyrjeje të Serbisë në punë të brendshme të Kosovës. Ndërkohë analistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në vend, e konsiderojnë shkelje të kushtetutës çfarëdo forme të votimit në Kosovë për ata qytetarët që kanë dyshtetësi.

Tahiri deklaroi për Radio Kosovën se Marrëveshja e 19 prillit e vitit 2013, për Normalizim të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u jep fund ndërhyrjeve të shtetit serb në punët e brendshme të Kosovës.
Ajo tha se me Kushtetutë parashihet që qytetarët të kenë dyshtetësi andaj, ju mundësohet qytetarëve serbë me dy shtetësi të votojnë, por vetëm përmes modaliteteve teknike që mundësohen nga OSBE-ja.

Zyrtarë të misionit të OSBE-së në Kosovë thonë se ende nuk kanë marr ndonjë kërkesë zyrtare për lehtësimin e këtij procesi. Në anën tjetër kryetari i Komisionit Republikan për zgjedhje në Serbi, Dejan Gjurgjeviq deklaroi se në Kosovë do të votohet në 90 vendvotime dhe se Këshillin Zgjedhor do ta përbëjnë tre anëtarë.

Analisti i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë se edhe përmes rolit lehtësues të OSBE-së dhe pikave grumbulluese nuk do të duhej të lejohej votimi i qytetarëve me dyshtetësi në zgjedhjet parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës.

Zgjedhjet e parlamentare në Serbi do të mbahen më 16 mars, ndërkaq në hartën elektorale të Serbisë është përfshirë edhe Kosova.