SHPËRNDAJE

Julian Assange bërtiti “kjo është e paligjshme, Mbretëria e Bashkuar duhet të rezistojë” pasi ai u nxor nga ambasada ekuadoriane këtë mëngjes, para se të futej në një furgon nga shtatë oficerë.

Themeluesi i WikiLeaks, me flokët e lidhur dhe një mjekër të gjatë gri, u takua me oficerët që u përpoqën të prezantoheshin rreth orës 10, por u përpoq të shmangte ata dhe të vraponte drejt dhomës së tij.

Si rezultat, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, shtatë oficerë u detyruan të frenonin 47-vjeçarin dhe ta ngrinin në ajër, përpara se ta nxirrnin atë nga dera e hyrjes së ambasadës dhe ta çonin drejt një furgoni policor.

Policia u lejua të futej në ambasadë pasi qeveria ekuadoriane tërhoqi azilin e tij, duke fajësuar ndërhyrjen e tij në çështjet ndërkombëtare dhe duke qenë i paqëndrueshëm ndaj stafit të ambasadës.

Në një deklaratë të ashpër, presidenti Lenin Moreno akuzoi Assange se kishte shkelur kushtet e azilit të tij duke “ndërhyrë në punët e brendshme të shteteve të tjera”, si dhe duke “bllokuar kamerat e sigurisë” dhe duke “keqtrajtuar rojet”.

Ministrja e Brendshme, Maria Paula Romo, madje e akuzoi atë për njollosjen e mureve të ambasadës me jashtëqitje.