SHPËRNDAJE

NJË LOJË E SHKËLQYER E AKTORËVE NË SKENË

Nga : Osman Goranci

Duke i menduar përshtypjet e lojës në skenë të trupës të Teatrit Profesionist nga Presheva, në Premierën e komedinë “Misteri” të autorit Italian Aldo De Benedeti, që u shfaq të hënën me 15 prill, mu kujtua një thënje nga Friedrich Nietzsche. “Gjithnjë ka ca çmenduri në dashuri. Mirëpo, gjithnjë ka ndonjë arsye në çmenduri”… Ndaj, duke u nisur nga kjo “çmenduri ose “arsye”, te shumë çifte, që janë në një lidhje më të gjatë, ka raste kur fillon rrënja e intenzitetit dashuror!… Disa, arsyen e shohin tek stereotipet veç të njohura në jetën bashkëshortore ku mbisundon rutina që sjell edhe mërzinë erotike, e që partnerët i nxit tinëza të fantazojnë, të kërkojnë risi në jetën dhe marrëdhnien e tyre, ose të nisin ndonjë aventurë me part-nerë të tjerë që mund të luajnë pak më ndryshe!

Publiku preshevar, por edhe mysafirët e shumtë nga, Gjilani, Kumanova, Prizreni, Prishtina, Mitrovica, Shkupi e Bujanoci, me lojën në skenë të aktorëve rezident të Teatrit Profesionist të Preshevës dhe falë konceptit të qëlluar regjisorial nga Afeida Boriçi Memeti dhe asistenti i saj Gjelbrim Emini, i përjetuam emocionet e një trathtie në mendje, ose një lojë mediocre e meskine me trëndafila të kuq, në përpjekje, për tu arratisur nga e rutina dhe e përditshmja të çiftit Verani, ku përkundër tensioneve që paralajmërojnë fundit e martesës së tyre, përfundon me “heppy end”, e që na shtyt të mendohemi se vetëm besimi dhe komunikimi i sinçert ndërton një marrëdhënie të qëndrueshme në çift. Ndërsa, “ndihma” nga personi i tretë, ose besimi i tepërt në shokun, mikun, etj, mund ta prish lojën ose harmoninë e një çifti që në përballjet me valët e jetës kërkon një ndryshim, ose vetëm një ikje të përkohshme, ndoshta edhe në ëndërr.

Alberto Verani, (në interpretim të shkëlqyer nga Valon Nuhiu), një inxhinier i suksesshëm dhe i pasur dhe gruaja e tij e bukur Marina, (Egzona Salihu e cila dëshmoi një pjekuri skenike), të cilët përballen me një krizë në martesë e menduan një “arratisje” nga rutina në jetën e tyre bashkëshortore, me “ndihmën” e mikut të tyre Tomaso Saveti, (Gani Veseli, i cili si zakonisht e mrekulloi publikun në sallë). Në një situatë deri diku edhe ekstreme si kjo, vihen në provë bindjet morale të të treve. Aty e kemi edhe shërbëtoren Rozina, (Artan Ibishi që shkëlqeu me transformimin dhe lojën e tij), e cila mundohet ta shfrytëzoj çdo moment, për ta “provokuar” ose joshur Tomason.

Dhe, rrjedha i ngjarjeve në këtë komedi, shtroi edhe disa prova ose pyetje mbi moralin dhe natyrën njerëzore, raportin e individit me veten dhe bashkësinë, marrëdhënien në çift, etj, të cilat mund të përmblidhen në dilemën e madhe filozofike: Të kesh apo të jesh? Në këtë dilemë regjisorja Afeida Boriçi Memeti, duke na imponuar një vij lineare të ngjarjeve, që në momente të caktuara, kemi edhe tensionime të situatave, gjatë gjithë

2.

Kohës publikun në sallë e mban peng, duke mos i lejuar aktorët të shkojnë deri në fund të tregimeve të tyre. Ajo, me mjeshtri e ndërton një lojë të bukur e kolektive të aktorëve në skenë, duke i zhveshur një nga një karakteret e tyre, veçmas krenarinë mashkullore. Nga ana tjetër, Marina Verani, e cila në fillim duket si një grua aventuriere, privilegjon aspektin moral në një marrëdhënie, ku për të është me rëndësi dashuria, shpirti dhe pjesëmarrja e ndjenjës në një raport nga ana e Albertos. Andaj edhe një raport i zhveshur nga këto elemente nuk ka kuptim për të. Ajo, në vete fsheh një dozë të inteligjencës, sharmit, besimit e të kualiteteve duke iu përmbajtur disa rregullave të jetës në martesë, gjë që e ndihmojnë të jetë e dëshirueshme; e përkryer në komunikim me trupin, ndjesia e shkëlqyer në seksipilitet, siguria në vete, inteligjenca dhe qëndrimi!…

Edhe skenografia e punuar nga Nexhat Boriçi, ndriçimi nga Xhermal Hasani, dhe tonisti Burim Emini, ishin në funksion të një loje të përkryer të aktorëve në skenë, të cilët publikut në sallë ia dhuruan një komedi që për afro një orë e njëzet minuta, u përcoll me të qeshura dhe duartrokitje frenetike.

Dhe, do të ishte mëkat që kjo shfaqje e vlerave të larta skenike të aktorëve rezident të Teatrit Profesionist në Preshevë, të mos jepet edhe në skenat, e teratrove në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni veriore, etj./presheva.com/