SHPËRNDAJE

Pas Liverpool-it e ka radhën Bayerni! Me këtë deklaratë ka nisur intervistën për “Bild am Sonntag” fantazisti turko-gjerman i Arsenalit, Mesut Ozil. Teksa e mbajti fjalën për hakmarrjen ndaj “The Reds” në FA Cup, ku u kualifikuan në çerekfinale pas fitores 2- 1, ish madrileni ka nisur të njëjtin kërcënim edhe për kampionët e Europës, të cilët do të zbresin të mërkurën në “Emirates Stadium” për të zhvilluar finalen e parë të 1/8-ave në Champions league.

“Është një nga ëndrrat e mia absolute të fitoj FA Cup me Arsenalin. Finalja e madhe në “Wembley” ka për të qenë e jashtëzakonshme”, deklaroi Ozil për emocionet dhe rëndësinë e kompeticionit në fjalë.

“Jam një tip që i adhuron të tilla sfida. Kam respekt të madh për Bayernin. Në krahasim me vitin e kaluar, ata janë përmirësuar së tepërmi. Por, ne nuk fshihemi dhe s’trembemi nga asnjë kundërshtar. Në dy ndeshje gjithçka është e mundur. Në të tilla finale ka të bëjë shumë forma në 90 minuta dhe skuadra jonë është përmirësuar së tepërmi në çdo aspekt. Kualifikimi në çerekfinale të FA Cup na jep më shumë besim dhe motivim për të mundur rivalin më të fortë në Champions. Nëse kërkon trofeun, atëherë do të përballesh dhe fitosh me ekipe të kalibrit të Bayernit”, tha fantazisti i “Topçinjëve” në lidhje me sfidën e Champions League.

Ozil flet se ndodhet në formë shumë të mirë dhe se tek Arsenali po arrin pjekurinë më të lartë si lojtar, duke marrë parasysh edhe parametrat që duhet të kesh për ta përballuar futbollin anglez.

“Këtu po më duket vetja si në provime pjekurie. Si lojtar kam fituar shumë besim dhe eksperiencë, aq sa jam gati të hedh hapin e radhës. Më duhet të mësohem me intensitetin e Premier League-s”, shtoi Ozil, i cili ishte ndër të vetmit lojtar që Wenger i dha pushime dimërore.

Për sa i përket Botërorit “Brazil 2014”, Ozil do i gëzohej vetëm kupës: “Ai lojtar që ka luajtur të paktën një herë me Realin kërkon vetëm të fitojë tituj. Një skuadër që po punon me intensitet të lartë, si dhe po përgatitet mjaft mirë në fazën parapërgatitore, sigurisht që qëllimi nuk do të ishte vendi i dytë apo i tretë, por Kupa e Botës”.