SHPËRNDAJE

Ministria e Punëve të Brendshme e R. së Serbisë këtyre ditëve kishte hapur një konkurs për policë të rinj me anë të së cilit kërkoheshin kuadro edhe për stacionin policor në Bujanoc.

Po të jetonim në një vend ku nuk ka diskriminim gjithçka do të ishte në rregull.
Mirëpo, këtu gjërat nuk janë ashtu.
MPB e Serbisë asnjëherë nuk e ka respektuar parimin e përfaqësimit në policinë lokale të Bujanocit krahas strukturës nacionale të popullsisë, as në pjesën e uniformuar, as administrative e civile e lëre më komanduese.

Njëri ndër kushtet për arritjen e Marrëveshjes së Konçulit dhe demilitarizimin e UÇPMB-së, që pak ditë më parë shënoi 19 vjetorin, ishte edhe krijimi i policisë multietnike.
Marrëveshja për policinë, e cila u nëshkrua me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar si duket funksionoi vetëm në muajt e parë.
Nga ajo kohë, nga puna u përjashtuan me dhjetëra e dhjetëra policë shqiptarë e që nuk u zëvendësuan kurrë me bashkombas të tyre, por përkundrazi vendet i tyre i zunë kuadro të ardhur nga Vranja, Vladiçin Hani, Surdulica, Leskovci, Nishi, e nga ku jo tjetër ?

I gjithë ky marifet u krye para hundëve tona, para atyre politikanëve shqiptarë që tash e 20 vjet në forma të ndryshme janë në pushtet dhe që prap po kanë sy të kërkojnë votën tuaj.
Besoj se këtë nuk do ta toleroni më.
Besoj, se do t’ja bëni edhe këtë pyetje: Ku ishit kur kuadrot shqiptare u përjashtuan nga policia, dhe ku ishit kur vendet e tyre i zunë ardhacakët që nuk flasin një gjuhë si ne?

Besoj, se këtë përgjigje do t’ja kërkoni vetëm deri më 21 qershor, sepse nga data 22 e tutje do të ketë kush do t’i del zot këtij vendi.
Policia lokale sipas strukturës së popullsisë është e drejtë që na takon!

Shkruan: Arbër Pajaziti