SHPËRNDAJE

Në raportin Kosovë – Serbi, dhe në rrethana kur Serbia e kontrollon dhe spastron etnikisht trevën shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës (PMB), e ndërkaq mban nën kontroll veriun e Kosovës, komunat etnike serbe dhe kishat e manastiret e Kosovës Dardane, dhe kur serbët kanë privilegje të veçanta e të pashembullta në Kosovë.

RECIPROCITETI

– është thjesht një frazë diplomatike boshe, pa efekt të interesit për shqiptarët, mashtrim i llojit, dhe inferioritet i turpshëm i politikës shqiptare karshi Serbisë.

RECIPROCITETI, aspekt që nuk është përfillur, analizuar e trajtuar asnjëherë në mënyrë të drejtë, ka vlerë madhore dhe efekt pozitiv për mirëqenje dhe fqinjësi të mirë, si edhe vet çështja e njohjeve, pasi që të zgjidhen drejtë çështjet e kontekstit territorial të kufijve Kosovë – Serbi, siç është respektimi dhe jetësimi i referendumit të popullatës shqiptare të PMB, i vitit 1992, duke u bazuar në gjendjen referente të kohës kur Serbia (viti 1959), si okupatore e territorit shqiptar, i kishte mundësitë e kombinatorikës territoriale për qëllime zgjërimi territorial, që ta realizojë e zyrtarizojë transferin e administrimit të komunave të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës nën Serbi, që sot (pa të drejtë) quhet me emërtim të reduktuar, si Luginë e Preshevës.

Përndryshe, nuk mund të ketë normalitet e drejtësi në rajon, duke privilegjuar një palë – atë serbe në Kosovë, e duke diskriminuar deri në rrezik potencial spastrimi etnik palën tjetër – atë shqiptare në PMB, në territor etnikisht shqiptar.

Nuk është Serbia ajo që i takon të shpërblehet serish me territore shqiptare, por janë shqiptarët ata të cilëve duhet t’u kthehen territoret e okupuara nga Serbia. Aq më parë kur dihet historia e veprimeve gjenocidale të saj ndaj shqiptarëve, si në të kaluarën, edhe në fundshekullin XX.

I vetmi kompromis që do të mund të kishte kuptim, është vendosja e kësaj treve (PMB) për një periudhë kohore, nën protektorat ndërkombëtar me USA kryesuese si garanci paqeje, për të filluar një proces paqësor rikthimi të PMB nën administrim të Republikës së Kosovës, sipas vullnetit të shprehur të popullit të kësaj treve.

Dëshmi për këtë është vetë realiteti i zhvillimeve të sotme, e shembull tipik i një etnocidi aktual është Medvegja e spastruar etnikisht nga shqiptarët, me metodat perfide efektive dhe të heshtura të spastrimit etnik, përmes pasivizimit dhe çregjistrimit të popullatës shqiptare nga kjo trevë me shumicë shqiptare, deri në vitet e vonshme të paraluftës, sidomos që nga paslufta 1999 e në ditë të sotme, me intenzitet gjithnjë e më të shtuar.

Aktualisht nuk janë për t’u çuditur veprimet agresive të Serbisë, por pasiviteti dhe indiferenca e politikave shqiptare, gjithandej!/presheva.com/

Shkruan:

Fatos Aliu-KELMENDI