SHPËRNDAJE

Përfaqësues të partive opozitare në vend theksojnë se presidenti i vendit, Hashim Thaçi nuk ka legjitimitet për ta udhëhequr procesin e dialogut me Serbinë, ndërsa theksojnë se procesi duhet të udhëhiqet dhe mbikëqyret nga Kuvendi i Kosovës.

Partitë opozitare po ashtu theksojnë se duhet vendosur vijat e kuqe në dialogun me Serbinë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të diskutohet për çështjen e statusit, integritetin territorial, karakterin unitar si dhe funksionalitetin e brendshëm të Kosovës.

Shefi i Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë  se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i paautorizuar për të udhëhequr dialogun me Serbinë, ka marrë pjesë në takimin e parë.

“Ai i hoqi të gjitha vijat e kuqe në tavolinën e dialogut me kontestuesit e shtetësisë sonë. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, shtetësia e Kosovës ka marrë zgjidhje përfundimtare gjatë Procesit të Vjenës, ka marrë formë me Deklaratën e Pavarësisë dhe ka marrë legjitimitet ndërkombëtar me Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, tha Hoti.

Ai tha se secili proces i pakushtëzuar ndaj rendit tonë kushtetues dhe secili krahasim me shtetësinë e Palestinës përbën naivitet politik të rrezikshëm dhe është skajshmërisht i dëmshëm për pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

“Prandaj, është e domosdoshme që Kuvendi i Kosovës, përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvend urgjentisht të vendosin vijë të kuqe për Presidentin që, i paautorizuar, ka marrë në dorë fatet e vendit”, tha ai.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje kundërshton udhëheqjen e dialogut me Serbinë nga presidenti Hashim Thaçi.

Ai në një konferencë për media një ditë më parë theksoi se Thaçi është politikan që vrapon të jetë në krye të dialogut.

“Thaçi mendon që duke bërë kompromise me Serbinë, ndoshta për pak muaj do ta shtyjë Gjykatën Speciale”, potencoi Konjufca.

“Secilit politikan që do t’i ofrohej me udhëheq dialogun me Serbinë, me siguri se do të mendonte disa herë dhe do të hezitonte, është vetëm një politikan që po vrapon me qenë në krye. Kjo tregon se presidenti Thaçi dialogun e ka diçka jetike, mirëpo ne mendojmë se kjo është jetike vetëm për karrierën e tij personale”, tha ai.

Ai tha se Thaçi ka kidnapuar dialogun, pasi Qeveria ka qenë ajo që gjithnjë ka udhëhequr me dialogun.

“E shpalli vetveten drejtues të dialogut. Me sa e dimë ne në Kosovë nuk ka ndodh kurrfarë ndërrimi i kompetencave të presidentit. Pra, Thaçi ka ato kompetenca që ka pas edhe Jahjaga”, tha ai.

Sipas tij, parlamenti duhet t’ia vendos vijat e kuqe Hashim Thaçit, pasi ai i hoqi në raport me Serbinë.

“Tash kur presidenti i hoqi vijat e kuqe me Serbinë, Parlamenti duhet t’ia vendosë vijat e kuqe Hashim Thaçit”, tha Konjufca, duke komentuar deklarimin e presidentit Thaçi që dialogu me Serbinë nuk ka vija të kuqe.

Ai tha se po ashtu duhet të vendoset vijë e kuqe edhe sa i përket shkëmbimit të territoreve.

“Vija e dytë e kuqe duhej të ishte, kurrfarë shkëmbimi territorial mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse Kuvendi ia parashtron këto vija të kuqe presidentit Thaçit atëherë do të ishim të sigurt që Kosova nuk do të cenohej nga asgjë. Shkojnë atje dhe kthehen sikur gjithçka në tavolinë është në rregull. Kjo na ka shqetësuar shumë kur presidenti del dhe tregon që gjithçka në tavolinë po bisedohet”, shtoi tutje ai.

Deklarimin e Thaçit se konflikti me Serbinë rrezikon t’i ngjasojë gjendjes së Palestinës, Konjufca e ka quajtur kërcënim të popullit.

“Thaçi ka thënë se nëse Kosova nuk bën kompromis do të bëhet si rasti i Palestinës. Ne i bëjmë thirrje presidentit të mos kërcënoj popullin e Kosovës, duke marr shembuj të tillë”, u shpreh tutje ai.

Ndërsa, edhe nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri tha sot në një konferencë për media se Kuvendi i Kosovës duhet të jetë institucioni që do ta ketë rolin udhëheqës në procesin e dialogut me Serbinë.

Ymeri tha se partitë politike parlamentare duhet të dakordohen që përgjegjësia për mbarëvajtjen e procesit të dialogut t’i takojë Kuvendit.

“Kuvendi duhet të jetë i përfshirë në procesin e dialogut që nga fillimi deri në fund të tij”, tha ai.

Ai tha se platforma për dialogun duhet të miratohet me 2/3 e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të ketë konsensus politik.

Sipas tij, kushdo që mendon që duhet shkuar në bisedime pa vija të kuqe e ka gabim dhe paraqet rrezik.

Ai tha se pala kosovare duhet t’i ketë disa pika që nuk duhet në asnjë mënyrë t’i vë në tavolinën e bisedimeve, si çështjen e statusit të Kosovës, integritetin territorial, karakterin unitar si dhe funksionalitetin e brendshëm të Kosovës.

Ymeri theksoi se janë të brengosur se në çfarë drejtimi mund të shkojë ky dialog me Serbinë.

Ai tha se janë të interesuar të ketë një mekanizëm për mbikëqyrjen e procesit në mënyrë që të mos marrëveshje të dëmshme që e rrezikojnë Republikën e Kosovës, e pastaj të detyrohen të merren me atë marrëveshje pas nënshkrimit.

“Të angazhohemi që përmes Kuvendit të Republikës të vendosim një kornizë që do ta pamundësonte një degradim të Republikës në marrëveshjet përfundimtare”, tha Ymeri.

Po ashtu në këtë konferencë u tha se posti i presidentit në Kosovë nuk buron nga legjitimiteti popullor, por është kompromis i politikave partiake andaj ky post sipas tij nuk mund të jetë legjitim dhe si i tillë është i papranueshëm.

Po ashtu u kërkua që Kuvendi ta themelojë një Komision të veçantë që do ta monitoronte procesin e dialogut.