SHPËRNDAJE

“Koalicioni trepalësh mes Aleancës për Shqiptarët, Lëvizjes Besa dhe Alternativës përfundimisht nuk do të bëhet realitet” thotë Sekretari i Përgjithshëm i ASH-së Arben Taravari, njofton Gazeta Express. Dështon nisma për koalicion trepalësh, pavarësisht kërkesës së madhe të qytetarëve për një koalicion të partive të reja shqiptare në Maqedoni, me qëllim që të luftohet BDI-ja e Ali Ahemtit dhe të dërgohet në opozitë. “Përfundimisht koalicioni trepalësh nuk mund të arrihet. Sot ose nesër do të takojmë të dyja palët, e më pas do të mblidhet Kryesia Qendrore e ASH-së për të vendosur se me cilën parti do të bëjë koalicion parazgjedhor” tha Taravari për TV21. Taravari nuk pranoi të komentojë se cila nga dy partitë, Alternativa ose Besa, ka shanse më të mëdha për të koalicionuar me ASH-në. Arsyeja pse ky koalicion nuk po arrihet është se Alternativa nuk pranon që pjesë e koalicionit tresh të jetë Lëvizja Besa, parti nga e cila Alternativa edhe ka dalë si fraksion politik. Iniciatore e koalicionit trepalësh ka qenë ASH, por tani që kjo ide duket e pamundur, partisë së Selës i mbetet të zgjedhë se me cilën parti do të shkojë drejt zgjedhjeve të 12 prillit, përcjell Gazeta Express nga TV21. Ndërkaq Sekretari gjeneral i Lëvizjes Besa, Arijanit Hoxha sot përmes një pres-konference ka ngritur dyshime për sinqeritetin e ASH-së për krijimin e koalicionit tre-palësh. Ai kërkoi që ASH-ja t’i përgjigjet publikisht pyetjes se çka ndodhi me nismën për koalicion trepalësh, të cilën e inicoi partia e Ziadin Selës. “Ka pasur ofertë nga Aleanca për Shqiptarët për koalicion trepalësh. Ne e kemi pranuar ofertën në këshillin e partisë. Tani pyesim se deri ku është ky koalicion. Ne kemi thënë se jemi parimor për një koalicion opozitar, ndërsa tani qytetarët duhet të dinë se cili është epilogu” tha Arianit Hoxha, Sekretari Gjeneral i Lëvizjes Besa. Express ka adresuar pyetje edhe deri tek Alternativa për të mësuar edhe qëndrimin e tyre në lidhje me zhvillimet e fundit, por ende nuk ka përgjigje.